Për Real Madrid vlen një miliard. Kjo është shifra e klauzolës së lirimit që do të zbatohet për kontratën e Vinicius Junior. Brazilini tani po rinovon deri në vitin 2028 dhe Real i ka idetë e qarta. Një trashëgimi e ndërtuar me kalimin e kohës, i importuar kur ishte ende i mitur, i vlerësuar kundrejt gjithçkaje dhe kujtdo. Sot ky fenomen (sepse mund të përkufizohet i tillë) është 23 vjeç. E ka një mijë histori për të treguar, sikur të ishte 46.
Në Brazil e quajnë “Vini malvadeza”, që me disa nuanca pak a shumë të përkthyeshme do të thotë “Vini ligësia”. Nuk i mjafton të fitojë, dëshiron të stërfitojë. Ndoshta nuk e bën me qëllim. Është bërë kështu. Për të, kundërshtari nuk është një armik që thjesht duhet urryer, por mundësisht edhe poshtëruar. E në futbollin e të rriturve ka një ligj të pashkruar. Nëse përpiqesh të më poshtërosh, kam të drejtë të reagoj me armët e mia. Ka marrë disa goditje, merr e do të marrë të tjera. Kjo u ndodh të gjithë atyre që kanë një talent superfin si ai. E një shpejtësi që e bën praktikisht të pamundur mbulimin efektiv. Ai ka asimiluar idenë se është i fortë dhe mund të trajtohet me mënyrat e këqija. Ajo që ai nuk do të mund ta asimilojë kurrë është vala e racizmit e lëshuar kundër tij. Por këtu hyjmë në një histori shumë të ndërlikuar.
HISTORIA QË NISI ME “PËRNDJEKJE”
Vinicius Josè Paixao de Oliveira Junior e ka dhënë idenë e të qenit jashtë kategorisë që në moshën gjashtë vjeçare. Babai i tij e mori për një test në një shkollë futbolli në Flamengo, në lagjen Mutuà, ku jetonte, në Sao Gonçalo. Para atij audicioni, babai i Vinicius ushtroi një lloj përndjekje ndaj Cacau, profesorit të shkollës së futbollit: “Ai donte ta bënte atë të luante me çdo kusht që kur ishte pesë vjeç. E, në fakt, kur e pashë në fushë kuptova se ai kishte arsye. Shumë mbi mesataren për moshën e tij, shumë i mirë, por shumë i qetë në sjellje”.
ADOLESHENTI QË REAL E PAGOI SI SUPER-BLERJE
Në moshën dhjetë vjeçare u transferua në kompaninë mëmë të Flamengo. E kur ishte gjashtëmbëdhjetë u stërvit me ekipin e parë. Më 13 maj 2017, trajneri Zè Roberto e bëri të debutojë në ekipin e parë kundër Atletico Mineiro në kampionatin brazilian. Një vit më pas ai ishte titullar. Por menjëherë pas debutimit të tij ai u shndërrua në mënyrë sensacionale në njeriun e merkatos. Ishte e pashmangshme që ai të tërhiqte vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane. Por në atë kohë vetëm Real Madrid kishte fuqinë ekonomike për të kryer një operacion të tillë. Një blerje që dukej e çmendur, e shpallur më 20 maj 2017. Shifra në dukje të çmendura: 30 milionë bazë plus 15 milionë bonuse. Duke shtuar kështu 8 mln komision për menaxherët dhe 8 për familjen e djalit. Gjithsej 61 milionë, me marrëveshjen për të lënë Vinicius Junior te Flamengo deri në moshën madhore.
SKEPTICIZMI MERENGUES
Në korrik 2018 djaloshi mbërriti te Madrid, fillimisht i regjistruar në listat e La Liga si pjesë e Castilla, skuadra B e Real Madrid. Më 29 shtator erdhi debutimi në ekipin e parë kundër Atleticos. Më 31 tetor ndeshja e parë si titullar kundër Melilla e më 3 nëntor goli i parë për Real kundër Valladolid. Performancë e mirë, por ende disa dyshime për potencialin e tij real. Por Ronaldo Fenomeni shpjegoi së fundmi në faqen e internetit të Valladolid (klubi që ai zotëron) arsyen e atyre paqartësive fillestare: “Vini nuk u stërvit mirë te Flamengo. Nuk dinte të kontrollonte topin, sidomos me këmbën e majtë, nuk e përgatitën siç duhet në raportin hapësirë-kohë në fushë apo në baza teknike. U përmirësua vetëm kur u largua. Talentet që kanë dalë nga Brazili për shumë vite kanë arritur të dalin ndërkombëtarisht vetëm falë talentit të tyre. Shumë shpesh djemtë janë “të ashpër”. Një rast i mrekullueshëm është ai i Vinicius. Është përmirësuar shumë me programet e trajnimit, metodologjinë profesionale dhe ndihmën e profesionistëve të mëdhenj. Ai ka ndryshuar në mënyrë eksponenciale në dy vitet e fundit te Real Madrid. Vinicius është lojtari më vendimtar në futbollin botëror për momentin”.
KURORËZIMI ME ANCELOTTI
Në sezonin 2020-21, gazeta Marca u përpoq të kundërshtonte kështu ata që ende nuk ishin plotësisht të bindur: “Vinicius është ndoshta lojtari më i kritikuar i Real. Por realiteti është se skuadra bën shumë më mirë kur luan ai”. Nga aty, në fakt, gjithçka erdhi në rritje. Sezoni i ardhshëm filloi me pesë gola në pesë ndeshjet e tij të para. Një sinjal i qartë, në atë moment Vinicius ishte titullar i palëvizshëm. Deri në finalen e Championës kundër Liverpool, e vendosur nga goli i Vinicius. Ndoshta nuk është rastësi që shpërthimi përfundimtar erdhi menjëherë pas takimit me një tjetër yll, edhe pse i pankinës, si Carlo Ancelotti.
Pikërisht Ancelotti mund të jetë mjeshtri i përsosur për të mbushur një boshllëk. Deri tani Vinicius nuk ka marrë rezultatet e pritura në kombëtare. Botërori i Katarit përfundoi para kohe, rezultati i tij flet për 23 ndeshje, 3 gola dhe 2 asistime me fanellën e Selecao. Kupa e Botës 2026 mund dhe duhet të jetë vitrina për shenjtërimin e tij përfundimtar. Tostao, qendërsulmuesi i Brazilit legjendar kampion bote në vitin 1970, e sheh këtë në këtë mënyrë: “Ai është shumë i fortë, por ende i mungon diçka në finalizim”. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për këto vite te Real Madrid. Statistikat flasin për 225 ndeshje, 60 gola dhe 50 asistime. Pikërisht për këtë arsye, në Bernabeu janë gati ta bëjnë të nënshkruajë kontratën deri në vitin 2028. Një lëvizje që parashikon një klauzolë lirimi prej një miliardë eurosh.