Takimi i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku duket se ka iniciuar ndryshime në komisariatin e Krujës. Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku qëndruan në një takim kokë më kokë për rreth 5 orë ditën e sotme.
Ndërkohë që gjatë takimit është vendosur që të këtë ndryshime rrënjësore për të gjithë linjën drejtuese të komisariatit. Ai pritet t’i nënshtrohet një hetimi, ndërkohë që paralajmërohen dhe masa ndaj drejtuesve të këtij institucioni të cilët kanë neglizhuar detyrën lidhur me dhunën e ushtruar nga anëtarët e familjes Rraja, fillimisht duke e fshehur si ngjarje dhe duke tentuar ta kalojnë si një sherr banal. Drejtuesi i aksionit është Tonin Vocaj.
“Në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati,”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Ngjarja u shënua mesditën e 6 korrikit 2023, ku anëtarët e fisit Rraja dhunuan disa qytetarët të Borizanës për guroret, që i përkisnin familjes së deputetit. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja.
Shkak është bërë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre. Ndërsa mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, e pikërisht në ato momente i kanë dhunuar.