Shala nuk luajti, u pagua e iku: Partizani harxhon gjysmë milioni euro për 5 dështime

Partizani e Herolind Shala ndajnë tashmë rrugët. Goditja e madhe e fundit të kampionatit të kaluar, që duhet të ishte lideri i një skuadre që do të kërkojë titullin kampion në sezonin që duhet ende të nisë, doli një tjetër dështim i madh. U kuptua që në minutazhin me pikatore në javët e fundit dhe Final 4 e ndjekur nga pankina: Shala ishte jashtë forme dhe nuk mbante dot ritmin. Në total 2 ndeshje (1 në kampionat e 1 në Kupën e Shqipërisë) për një total prej vetëm 88’ lojë.

E si Partizani ka mësuar tashmë në këto 5 vitet e fundit, dalja është me më klasiken e përcjelljeve: “Partizani zyrtarizon përfundimin e bashkëpunimit me Herolind Shalën. Mesfushori dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me konsensus kontratën mes tyre. Partizani dëshiron të falenderojë Herolind Shalën që ishte pjesë e familjes së kuqe duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierë” – shkruhet në komunikatën për shtyp të të kuqve.

DËSHTIME NË SERI…

U bënë disa sezone që lojtarët që mbërrijnë te Partizani për të bërë diferencën e bëjnë vetëm në pagesë. Në fushë rezultatet janë katastrofike, me prezenca të pakta e përfaqësime për tu harruar. I fundit në radhë ishte Eros Grezda, ish-mesfushori i kombëtares, që erdhi me super pagën e zakonshme dhe la për të dëshiruar në fushë dy vjet më parë. Goditja e madhe e asaj merkato së verës, ai që duhet të ishte lideri i një skuadre që kërkonte konfirmimin si kampion, doli dështimi i madh. U kuptua që në ndeshjet e Champions dhe Conference League: Grezda ishte jashtë forme dhe nuk mbante dot ritmin. Gjërat pastaj nuk është se u përmirësuan në kampionat, ku nga i nisur titullar, Grezda e pa veten të parakaluar nga të gjithë. Në total 17 ndeshje (2 në Champions e 6 në Conference e 9 në kampionat) për një total prej 589′ me vetëm një gol të shënuar.

Arkat e klubit, edhe në atë rast, u rënduan në mënyrë katastrofike në raport me kontributin. Në 6 muaj (6500 euro në muaj) Grezda ka fituar 39 mijë euro. Më saktë 40 mijë, sepse në kontratën e tij ka qenë klauzola e 1 mijë euro për çdo gol. E ai i shënuar në Conference League e ka rritur edhe pak dhimbjen financiare të të kuqve.

 

Para tij Partizani bëri të njëjtën gjë me Ergys Kaçen. Edhe ish-mesfushori i kombëtares, që erdhi me super pagën e zakonshme, la për të dëshiruar në fushë. Ai që duhej të ishte fari ndricues i lojës së të kuqve u kthye vetëm në një barrë financiare që klubi nuk po dinte si ta hiqte qafe. Pas 6 muajsh, në janar 2022, erdhi akordi me mirëkuptim nga të dy palët. Kaçe nuk do të ishte më lojtar i Partizanit, që me këtë lëvizje i lejoi vetes të kursente të paktën 60 mijë euro pagë të lojtarit që pagën e kishte për top player e përfaqësimet si më i zakonshmi i pankinës, madje as i denjë për të luajtur me fanellën e kryeqytetasve.

ARKAT PIKIATË

Siç duket te Partizani nuk kanë aspak nuhatje për të bërë goditjen diferencuese. Mjafton të kujtosh lëvizjet e mëdha të fundit që rezultuan po në dështime të mëdha. Edgar Çani erdhi me një kontratë prej 250 mijë euro në sezon dhe nuk luajti asnjë ndeshje me përjashtim të ndonjë fragmenti e një ndeshje në Kupën e Shqipërisë. Pasi fitoi titullin me Gegën, të kuqtë vendosën ta riprovonin me Ferhan Hasanin, por Buba mori vetëm 120 mijë eurot e gjashtë muajve kontratë me pak minuta në fushë e asnjë gjurmë. Për fat një pjesë të kuqtë e kthyen mbrapsht falë shpërblimit të UEFA-s, për prezencën e shqiptaro-maqedonasit në Euro 2020 me Maqedoninë e Veriut.

Vetëm se llogaritë nuk dalin: pesë lojtarët “e mëdhenj” nuk kanë mbledhur së bashku as një “kampionat” me prezenca, ndërsa janë paguar deri në largim me bukurinë e 470 mijë eurove.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top