Sonte do të mbahet finalja e madhe e Eurovision Song Contest 2025, ku Shqipëria me Shkodrën Elektronike do të performojë e fundit me radhë, duke e përmbyllur kështu Eurovisionin për sivjet.
Televotimi nga pjesa tjetër e botës, ku bën pjesë edhe Kosova, tashmë është hapur. Kjo do të thotë se nëse jeni nga Kosova apo nga ndonjë vend tjetër që nuk merr pjesë në Eurovision, ju mund të votoni që tani.
Nga Kosova mund të votoni përmes linkut www.esc.vote deri në momentin kur fillon shfaqja e finales në orën 21. Pastaj, televotimi do të hapet përsëri pak para se të fillojë kënga e parë dhe do të mbarojë rreth 40 minuta pas përfundimit të këngës së fundit, që në këtë rast është Shqipëria me Shkodrën Elektronike.
Krejt çka nevojitet për votim është të hyni në link, të shikoni deri në fund videon 4-minutëshe ku paraqiten këngët finaliste, e pastaj të zgjedhni se për cilin shtet votoni. Secila votë kushton 99 cent dhe mund t’i jepni deri në 20 vota, qoftë për këngën e njëjtë, qoftë edhe për këngë të tjera.
Shqipëria ka gjasa që të performojë shumë mirë në tabelën e pikëve. Sipas kompanive të basteve, sado që këto nuk është se ia qëllojnë gjithmonë, Shqipëria është e nënta nga gjithsej 26 finalistë. Por, në sondazhin zyrtar të Eurovision (votoni duke klikuar këtu), Shqipëria është e katërta me më së shumti vota.