Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku zhvilloi një takim të gjatë që zgjati mbi 5 orë në selinë e kryeministrisë me shefin e saj Edi Rama. Përpos të gjitha hamendësimeve që qarkulluan, orët e fundit po përvijohet një skenar mbi atë që ka ndodhur.
Rama dhe Balluku kanë shoshitur gjerë e gjatë mënyrën si të shpëtohet “numri dy i qeverisë” pas masës së vendosur nga Gjykata e Posaçme për “pezullim nga detyra” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”, tashmë të ekzekutuara.
Në ndihmë të tyre u thirr edhe ish-ministri i drejtësisë Ulsi Manja, aktualisht kryetar i komisionit të ligjeve.

Në mediat pranë qeverisë po raportohet se Balluku ka pretenduar se pezullimi nga funksionet që ka pasur është bërë në shkelje e Kushtetutës.
Sipas saj, këtë vendim nuk mund ta marrë kjo gjykatë, por vetëm Gjykata Kushtetuese pasi posti i zëvendës kryeministrit është i përcaktuar në kushtetutë. Nuk dihet ende nëse do të jetë kjo mbrojtja që do të bëjë Balluku pasi Kodi i Procedurës Penale në nenin 242 pika 2 thotë se masa e pezullimit nga detyra merret ndaj çdo funksionari publik, “përveç atyre të zgjedhurve sipas Kodit Elektoral”.

Pra, ligji përjashton vetëm ata që janë zgjedhur me votë nga populli siç janë deputetët dhe kryetarët e bashkive, të cilët nuk mund të pezullohen nga gjykatat. Balluku është marrë e pandehur nga SPAK e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” në rastin e tunelit të Llogarasë dhe në tenderimin e lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.