Popullsia në Shqipëri ra me mbi 36 mijë vetë ose 1.3% e totalit gjatë vitit 2022, rënia më e madhe e shënuar ndonjëherë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Të dhënat e publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave tregojnë se popullsia rezidente në vitin 2022 vlerësohet të jetë 2.79 milionë banorë, nga 2.83 milionë që vlerësohej në vitin 2021. Popullsia e Shqipërisë ka qenë në rënie të vogël që prej vitesh, por ritmi i rënies, sipas vetë vlerësimeve të INSTAT, është përshpejtuar në mënyrë dramatike gjatë vitit të fundit.
Në vitet 2018 e 2019, ritmi i rënies vjetore ishte respektivisht 0.2 dhe 0.3% por ai u përshpejtua në 0.6% në vitet 2020 dhe 2021 për të shpërthyer në 1.3% në vitin e kaluar. Instituti i Statistikave vlerëson popullsinë vjetore duke marrë parasysh numrin e lindjeve dhe të vdekjeve, si dhe një vlerësim mbi migrimin e popullsisë. Gjatë vitit të kaluar, lindjet në Shqipëri ishin lehtësisht më të larta se sa vdekjet dhe kjo do të thotë se rënia e popullsisë ka ardhur tërësisht si pasojë e emigrimit. Edhe struktura e rënies së popullsisë tregon se moshat e reja janë ata që janë pakësuar më shumë.
Sipas të dhënave, brezi i shqiptarëve të moshës 20-24 vjeç u pakësua me 7.1% ose mbi 15 mijë vetë ndërsa brezi 25-29 vjeç u pakësua me 6,300 vetë dhe ai 15-19 vjeç me 5,900 vetë. Rënie të konsiderueshme pësuan edhe grupmoshat e foshnjave. Fëmijët 0 deri në 4 vjeç u pakësuan me 5 mijë vetë ose 3.5% ndërsa dy grupmoshat e tjera të fëmijëve, 5-9 dhe 10-14 vjeç u pakësuan me 1.9%. Me rritje ishin grupmoshat 60-74 vjeç si dhe grupmoshat 30-44, ku këto të dytat patën rritje më të vogël. Në tërësi, numri i shqiptarëve nën 20 vjeç ra me 17 mijë ndërsa numri i shqiptarëve mbi 60 vjeç u rrit me 12 mijë. Popullsia ekonomikisht aktive, e cila përfshin si konvencion popullsinë mbi 16 dhe nën 64 vjeç, ra me 32 mijë vetë.
EMIGRIMI ANGLEZ
Shkaku kryesor i rënies së popullsisë në Shqipëri gjatë vitit të kaluar duket se lidhet me një rrugë të re trafiku për emigrim të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar përmes kapërcimit të ngushticës së La Manche me gomone për të kaluar nga Franca për në Angli. Autoritetet britanike kanë numëruar së paku 15 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj, të cilët kaluan detin për të Angli në këtë mënyrë.
Qeveria shqiptare ka injoruar problemin, duke e konsideruar atë të parëndësishëm ndërsa opozita ka akuzuar keqqeverisjen si shkak. Edhe Kisha Katolike, e cila zakonisht nuk ndërhyn në debatet politike të vendit, kreu vitin e kaluar atë që e cilësoi si “akt denoncues” ku theksonte se vendi po shpopullohej për shkak të mungesës së shpresës për një jetë më të mirë. Në të gjitha rastet, vlerësimi i INSTAT për shkallën e emigrimit dhe popullsinë rezidente besohet se është i nënvlerësuar. Të dy censuset, më 2001 dhe 2011 nxorën një popullsi rezidente më të ulët nga sa ishte vlerësimi i atyre viteve ndërsa censusi i radhës është shtyrë për në shtator të këtij viti. Brezat e rinj të shqiptarëve janë gjithashtu në mënyrë dramatike me më shumë meshkuj se sa femra, gjë që sugjeron një shkallë anormale pabarazie në lindje.
Për moshën 0 deri në 4 vjeç ka 94 goca për çdo 100 çuna. Pabarazia ngushtohet në gjeneratat më të rritura ndërsa nga mosha 45 vjeç e më sipër, gratë bëhen ndjeshëm më të numërta se sa burrat, pasojë kjo e emigrimit të meshkujve gjatë gjeneratave të mëparshme. Shqipëria ka njohur fenomenin e abortit selektiv prej dekadash. Në mënyrë natyrale meshkujt lindin pak më shumë se sa femrat, zakonisht në raportin 100 femra për 105 meshkuj, ndërsa nën kushtet e abortit selektiv, në Shqipëri pabarazia ka arritur deri në 114 meshkuj për 100 femra në 2006.
Emigrimi masiv i vitit të kaluar duket se ka ndihmuar në mënyrë indirekte në zbutjen e kësaj pabarazie pasi emigrimi merr zakonisht më shumë meshkuj. Për shembull, nëse supozojmë se emigrantët e sotëm janë të moshës 16-20 vjeç dhe kanë lindur mes viteve 2001 dhe 2006, atëherë ajo që vërehet është se në ato vite pabarazia në lindje ka qenë mesatarisht 112 meshkuj për femra. Në vitin 2022, numri i meshkujve të moshës 15-24 vjeç ishte i barabartë me numrin e femrave, gjë që do të thotë se pabarazia në lindje është fshirë nga emigrimi i meshkujve.
RËNIE NË TË GJITHË VENDIN
Popullsia ka pësuar rënie në të gjitha qarqet e vendit me përjashtim të Tiranës, ku rritja ka qenë modeste, 0.8%. Popullsia në Gjirokastër ra me 4.7%, pjesërisht si pasojë e rënies natyrore dhe njëkohësisht si pasojë e emigrimit ndërsa rënie të konsiderueshme shënojnë edhe qarqet Berat, 3.7% dhe Dibër, 3.6%. Edhe Durrësi, një qark që përgjatë viteve të fundit ka njohur rritje të popullsisë falë ekonomisë krahasimisht më të mirë, gjatë vitit të kaluar shënoi një rënie të vogël prej 0.2%.