2 mijë euro për të ‘mbyllur’ aksidentin, zyrtarët e Policisë Rrugore pyeten nga BKH

Shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, Roven Zeka, shefi i oficerëve të policisë gjyqësore Sokol Novaku dhe oficeri Edison Tabaku kanë kaluar natën në bllokun e sigurisë, pas urdhër-ndalimit të lëshuar nga SPAK për veprën penale të korrupsionit pasiv të kryer në bashkëpunim.

Zeka dhe Novaku u paraqitën vullnetarisht mesditën e së shtunës pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, pasi kishin mësuar për masën e urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë mëngjesit të së dielës, të tre zyrtarët dhanë shpjegimet e para përpara oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit , në kushte izolimi në bllokun e sigurisë.

Sipas burimeve paraprake, tre efektivët e policisë dyshohet se kanë favorizuar drejtuesen e një automjeti e cila kishte shkaktuar një aksident rrugor me pasoja për shëndetin e dy personave, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Megjithatë, ajo është proceduar në gjendje të lirë.

Shuma prej 2 mijë eurosh dyshohet të jetë dhënë si rryshfet në këmbim të këtij favori, por oficerët e policisë kanë mohuar akuzat, duke deklaruar se kanë ndjekur të gjitha procedurat standarde.

Prokurorja e çështjes, Elida Kaçkini, ende nuk i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre zyrtarëve, ndërkohë që dyshohet se në dosje janë përfshirë edhe përgjime audio si provë kryesore në hetim.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top