Pak më shumë se dy javë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, ndonëse miliona amerikanë veç iu kanë drejtuar kutive të votimit në atë që njihet si votimi i hershëm, si dhe përmes postës. Sondazhet parashikojnë garë të ngushtë, por ish-presidenti Donald Trump shihet si më i favorizuar,
Ndonëse gjatë muajit gusht dhe shtator sondazhet, por edhe bastet, e favorizonin zv/presidentetn Kamala Harris, dinamika e garës ka ndryshuar krejtësisht gjatë javës së fundit.
Sipas shumicës së sondazheve dhe mesatareve të tyre të nxjerra nga grumbullues kredibilë si Real Clear Politics (RCP) dhe 538, Trump është duke udhëhequr në shtetet e rëndësishme, të cilat do ta vendosin garën më 5 nëntor.
Sipas RCP, në mesataren e fundit të të gjitha sondazheve të nxjerra, Trump është duke udhëhequr në të gjitha shtetet kyçe. Ish-presidenti avancon me 0.5% në Pennsylvania, shtet që cilësohet si më i rëndësishmi për shkak të 19 pikëve elektorale, me 1% në North Carolina, me 1.1% në Georgia, me 1.4% në Arizona, me 0.9% në Michigan, me 0.5% në Nevada dhe në Wisconsin me 0.1%. Një rezultat i tillë do të përkthehej në plot 312 pikë elektorale për ish-presidentin, duke e lënë mbrapa demokraten Harris me vetëm 226 pikë.
Në anën tjetër, 538 dallon nga RCP për disa nuanca. Sipas 538, gara për momentin është e barabartë në Wisconsin dhe Pennsylvania, ndërsa Harris udhëheq në Michigan me 0.6% dhe në Nevada me 0.5%. Ish-presidenti Trump, gjithnjë sipas 538, udhëheq në North Carolina me 0.9%, në Georgia me 1.9% dhe në Arizona me 2.1%. Nëse Trump i fiton këto tri shtetet në të cilat po udhëheq, krejt çka i duhet është fitorja edhe në njërin prej shteteve të “Rripit të Ndryshkut”, siç njihet në Amerikë, ku përfshihen shtetet si Wisconsin, Pennsylvania dhe Michigan.
Kompania më e madhe e basteve sa i përket garës presidenciale në SHBA, Polymarket, e favorizon së tepërmi ish-presidentin Trump. Ndonëse deri vonë mundësitë dukeshin 50-50 për të dy kandidatët, kjo kompani ditëve të fundit ka anuar dukshëm kah Donald Trump, i cili tani ka 60% mundësi të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, teksa mundësitë e Harris vlerësohen të jenë 40%.
Thënë të gjitha këto, përderisa nuk ka rezultate reale nga kutitë e votimit, sondazhet mund të jenë thjesht numra që tregojnë për disponim aktual, i cili jo gjithmonë përkthehet në votë. Ndonëse shihet se ish-presidenti Trump është në një pozitë shumë të fortë kur po hyjmë në dy javët e fundit, asgjë nuk është e kryer.