Për të kuptuar thellësinë e humnerës ku ka rënë Manchester United, mjafton të dëgjosh zërat e atyre që janë ulur në pankinën e tij gjatë viteve. Që nga maji i vitit 2012, kur Sir Alex Ferguson mbylli pas vetes derën e “Old Trafford”, klubi ka përjetuar një kërkim obsesiv dhe neurotik për kohën e humbur. Ka alternuar profile, ide dhe filozofi të ndryshme, pa arritur kurrë të rikthejë lavdinë e dikurshme. Çdo trajner është përpjekur të shërojë gjigantin e plagosur, por të gjithë janë përfshirë nga rrënojat e tij. Të rindërtuara pjesë pas pjese, konferencat e tyre për shtyp përbëjnë ditarin e një agonie që edhe sot nuk i lë të qetë “Djajtë e Kuq”. Si ka mundësi që një prej skuadrave më të forta në botë të përfundojë duke rrezikuar rënien nga kategoria, të regjistrojë turpërime të njëpasnjëshme dhe të harrojë plotësisht historinë e saj më shumë se njëqindvjeçare?
Nuk bëhej fjalë për një skuadër dosido. Manchester United ishte një prej institucioneve më të rëndësishme të futbollit botëror, e aftë të dominonte për dekada në Angli dhe Europë, me një koleksion të jashtëzakonshëm trofesh dhe me një dimension tregtar të krahasueshëm me atë të shoqërive sportive më të mëdha të planetit. “Old Trafford” ishte skena e një skuadre të mësuar të luante për të fituar gjithçka, derisa u shndërrua në një prej markave më të njohura të sportit. Edhe vite pas largimit të Fergusonit, United vazhdoi të qëndronte në majat e ekonomisë së futbollit, duke u bërë klubi me të ardhurat më të larta në botë, sipas “Deloitte Football Money League”, në vitet 2016 dhe 2017. Pasuria e Premier League, të ardhurat komerciale dhe, natyrisht, mbështetja ndërkombëtare i garantuan burime të mëdha financiare edhe kur rezultatet sportive nisën të përkeqësoheshin. Kjo ndodhi edhe në vitin 2025, kur, pavarësisht se ishte pranë rënies nga kategoria, klubi u rendit sërish mes tetë shoqërive sportive me të ardhurat më të larta në botë, duke regjistruar 793 milionë euro të ardhura.
Iluzioni i vazhdimësisë me Moyes
Në maj të vitit 2013, Manchester United i dha lamtumirën Sir Ferguson duke ngritur në qiell titullin e tij të 20-të kampion. Skocezi largohej pas 26 vitesh dominimi sportiv, duke ua lënë trashëgimtarëve një skuadër të ndërtuar sipas imazhit dhe ngjashmërisë së tij, të aftë të fitonte edhe kur cikli dukej se kishte përfunduar prej kohësh. Trashëgimia iu besua David Moyes, i cili gjatë dhjetë viteve të mëparshme kishte bërë një punë të paqtë te Everton. Ishte vetë Ferguson ai që e kishte përzgjedhur, i bindur se identiteti skocez dhe kultura e punës do të mjaftonin për të garantuar vazhdimësinë. Por verdikti i fushës ishte i pamëshirshëm: vetëm dhjetë muaj më vonë, Moyes u shkarkua, pasi skuadra kishte përfunduar në vendin e shtatë.
Ishte fillimi i fundit për “Djajtë e Kuq” dhe krisja e parë u shfaq në marsin e vitit 2014. Pas humbjes 3-0 në derbin kundër Manchester City, Moyes bëri një reflektim që tingëlloi si një dorëzim: “Ata janë lloji i skuadrës ku ne aspirojmë të arrijmë”. Pavarësisht sqarimeve të mëvonshme, sipas të cilave ai nuk po fliste posaçërisht për City-n, por për modelin e skuadrave të reja fituese, vlera simbolike e asaj deklarate mbeti e gdhendur në mendjen e tifozëve. Deri në atë moment, ata e kishin parë City si një skuadër të paaftë për të fituar, ndërsa United ishte qendra e futbollit anglez. Por në ato vite diçka po ndryshonte thellësisht.
Van Gaal dhe Mourinho, rreshterët e hekurt
Pas mbylljes së kapitullit Moyes, në verën e vitit 2014, United vendosi të besonte te Van Gaal, i cili sapo kishte siguruar vendin e tretë në Kupën e Botës me Holandën. Ai ishte rreshteri i parë i hekurt pas Fergusonit dhe mbërriti me pretendimin se dinte të ndërtonte skuadra të mëdha. E riktheu United në Europë, por pa arritur kurrë të ndizte zemrat e tifozëve të “Stretford End”. Motoja e holandezit, përballë rezultateve negative, ishte gjithmonë e njëjta: “Ne jemi në një proces dhe ky proces do të zgjasë më shumë se një vit”. Në çdo konferencë për shtyp kërkonte durim, i vetëdijshëm se i gjithë sistemi duhej rindërtuar, por nuk iu dha koha që kërkonte. Në vitin 2016 fitoi FA Cup dhe u shkarkua 48 orë pas finales. As trofeu nuk arriti ta shpëtonte, sepse loja e tij konsiderohej e huaj për ADN-në e klubit, megjithëse në të vërtetë, ndërkohë, skuadra kishte humbur gjithçka që e bënte të dallueshme.
Përgjigjja ishte emërimi i José Mourinhos. Portugezi përfaqësonte një zgjedhje të sigurt, njeriun e rezultateve të menjëhershme, i cili në fakt solli që në fillim Europa League dhe Kupën e Ligës, përveç vendit të dytë në Premier League, rezultati më i mirë i arritur nga United në periudhën pas Ferguson. “Special One” ishte brutalisht i sinqertë: në konferencën për shtyp të prezantimit kritikoi Van Gaal dhe madje edhe Arsene Wenger. Por vitin pasues gjërat nuk shkuan aq mirë dhe u shfaq Mourinho që të gjithë njohim. Pas eliminimit në fazën e 1/8-ave të Champions League nga Sevilla, trajneri zhvilloi një analizë mediatike të pamëshirshme, që zgjati dymbëdhjetë minuta: “Në shtatë vite, me katër trajnerë të ndryshëm, një herë nuk është kualifikuar për kupat europiane, dy herë është eliminuar në fazën e grupeve dhe rezultati më i mirë ka qenë një çerekfinale. Kjo është trashëgimia futbollistike”. Ishte një mënyrë për të shfajësuar veten dhe për të zhvendosur vëmendjen te përgjegjësitë e strukturës drejtuese, të njëjtat argumente që i diskutojmë edhe sot, tetë vite pas atij momenti, por me një situatë shumë më të keqe.
Kapitulli i Mourinhos nuk mund të mbyllet këtu. Disa muaj më vonë, më 27 gusht 2018, përçarja u bë e pakthyeshme. Pas humbjes 3-0 kundër Tottenhamit, “Special One” nisi të rendiste sukseset e tij personale: “Tre me zero, tre me zero. E dini çfarë do të thotë kjo? Tre tituj të Premier League. Unë kam fituar tre, ata dy”. Më pas u ngrit dhe u largua nga salla, ndërsa vazhdonte të bërtiste: “Respekt, respekt, respekt”. Shkarkimi i tij erdhi në dhjetor, por edhe sot mbetet trajneri që ka pasur suksesin më të madh gjatë kësaj periudhe.
Well, that escalated quickly.
Jose Mourinho just ranted about respect and then walked out of his press conference. 😲 https://t.co/F18t7dfn2T— Soccer AM (@SoccerAM) August 27, 2018
Përpjekja e Solskjaer dhe e vërteta e Rangnick
Pas dy trajnerëve pragmatistë, idetë e United pothuajse kishin shteruar dhe drejtuesit luajtën kartën e përkatësisë, duke emëruar Ole Gunnar Solskjaer, heroin e asaj nate të vitit 1999 në Barcelonë, që mishëronte kujtesën historike të viteve të arta. Në disa momente, anglezët u rikthyen të argëtonin tifozët, duke luajtur një futboll të shpejtë, të ndërtuar mbi kundërsulmet, dhe e mbyllën kampionatin në vendin e dytë në vitin 2021. Por skuadra vazhdonte të shfaqte kufizime të mëdha strukturore. Në vitin 2020, pas humbjes 2-0 kundër Liverpool në “Anfield”, trajneri u përpoq ta justifikonte situatën: “Kemi humbur kundër Liverpool, një skuadër që ju e konsideroni fantastike, dhe kemi qëndruar në lojë deri në topin e fundit. Për mua, ky është një hap përpara”. Realiteti, megjithatë, tregoi se “The Reds” përfunduan të parët, me 33 pikë më shumë se United, që ishte i treti. Në mënyrë ironike, aventura e tij përfundoi pas një ndeshjeje kundër Liverpool, një prej humbjeve më të tmerrshme të viteve të fundit: një turpërim 5-0 në “Old Trafford”, që përfaqësoi pikën më të ulët të historisë moderne të skuadrës.
Pas tij, pankina iu besua Ralf Rangnick, një trajner i një kalibri tjetër, i cili më pas duhej të bëhej këshilltar i drejtuesve të klubit në vitin pasues. Përvoja e tij ishte një dështim, por gjermani e kishte kuptuar gjithçka: “Nuk mjafton të bësh disa ndryshime të vogla, disa ndërhyrje kozmetike. Në mjekësi do të thoshim se nevojitet një operacion në zemër të hapur”. Pas Mourinhos, ai ishte i vetmi që arriti ta identifikonte me vizion dhe përvojë problemin e United, por edhe atëherë klubi preferoi të mos e dëgjonte dhe të niste gjithçka nga e para, për të disatën herë.
🗣️ "It’s not cosmetic, It’s open heart surgery."
Ralf Rangnick has warned that there will be no quick fix at Old Trafford under incoming manager Erik ten Hag. 🔴 https://t.co/AvYlSVgrsB
— Sky Sports News (@SkySportsNews) April 23, 2022
Përçarja me ten Hag
Sërish një holandez, këtë herë Erik ten Hag, i freskët nga sukseset në drejtimin e Ajax me futbollin e tij të bukur dhe modern. Në sezonin e parë fitoi Kupën e Ligës dhe e riktheu United në Europë, por pas suksesit fshiheshin çarje të mëdha në dhomën e zhveshjes. Në vitin 2022, vitin e rikthimit të madh të Cristiano Ronaldos, portugezi refuzoi të hynte në fushë gjatë ndeshjes kundër Tottenhamit. Trajneri e përjashtoi përkohësisht për të riafirmuar autoritetin e tij, por shkaktoi një dëm të pariparueshëm. CR7 dha një intervistë për Piers Morgan, në të cilën sulmoi drejtpërdrejt trajnerin dhe klubin, përpara se të ndërpriste kontratën në nëntor.
Një vit më vonë, e njëjta situatë u përsërit me Jadon Sancho, i cili u la jashtë skuadrës. Ten Hag përdorte dorën e hekurt me të gjithë për të imponuar rregullat dhe kulturën e punës, por nuk mori mbështetjen e drejtuesve. Në vitin 2024, United e përfundoi kampionatin në vendin e tetë, rezultati më i dobët në epokën e Premier League deri në atë moment, dhe disa muaj më vonë erdhi një tjetër shkarkim.
Përplasja përfundimtare me Amorim
Në nëntor 2024, United e mori Ruben Amorim nga Sporting Lisbona. Dishepulli i Mourinhos kishte ndërtuar te skuadra portugeze një model të suksesshëm, por ndikimi i tij në Angli ishte dramatik. Nëse me ten Hag klubit nuk i ishte gjetur asnjëherë gjuha e përbashkët, me trajnerin e ri përplasja ishte e hapur. Më 19 janar 2025, pas humbjes kundër Brighton, Amorim dha verdiktin e parë: “Ne jemi ndoshta skuadra më e keqe në historinë e Manchester United”. Një deklaratë që tingëllonte si epitafi i një sezoni në rënie të lirë, i cili përfundoi me një vend të 15-të grotesk dhe humbjen në finalen e Europa League kundër Tottenham, që gjithashtu nuk ishte në një situatë shumë më të mirë.
🚨 Rúben Amorim: “I came here to be the manager of Man United, NOT the coach”.
@BeanymanSports 🎥 https://t.co/tcU3ct6RTB
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 4, 2026
Pika e moskthimit u konsumua më pak se një vit më parë, më 4 janar 2026. Një ditë pas barazimit kundër Leeds, Amorim u përplas me drejtuesit e klubit: “Unë kam ardhur këtu për të qenë menaxher i Manchester United, jo trajner”. Kjo nuancë në zgjedhjen e fjalëve ishte në të vërtetë një sulm ndaj drejtorit sportiv dhe sektorit të skautizmit, të cilët nuk e kishin mbështetur. Ajo ishte edhe fjalia e fundit e shqiptuar prej tij si trajner i United, përpara shkarkimit që erdhi të nesërmen. Pas tij u zgjodh Carrick si trajner i përkohshëm, një njeri që e njeh më mirë se kushdo tjetër historinë e klubit, por as ai nuk ka arritur ta nxjerrë skuadrën nga harresa.
Kanë kaluar 13 vite nga largimi i Sir Alex Ferguson dhe Manchester United është kthyer në një kantier të përhershëm ndërtimi. Fija e përbashkët që lidh deklaratat e trajnerëve të tij tregon zvogëlimin progresiv të përmasave të klubit, mosbesimin ndaj drejtuesve dhe alarmet e ngritura në një kohë kur ndoshta situata mund të ishte ende e shpëtueshme. Sot, “Djajtë e Kuq” janë të panjohur dhe, pas 26 viteve kur Ferguson ishte njëkohësisht trajner, menaxher, garant i identitetit dhe mburojë e klubit, ende nuk kanë gjetur dikë që të ketë të njëjtat superfuqi si ai.