Selena Gomez dhe nëna e saj, Mandy Teefey, janë paditur nga disa investitorë të kompanisë Wondermind, të cilët pretendojnë se janë mashtruar lidhur me gjendjen financiare dhe perspektivën e biznesit.
Sipas padisë, investitorët kishin derdhur 1.2 milionë dollarë, duke besuar se kompania kishte kapacitetet dhe partneritetet e nevojshme për zhvillim. Ata pretendojnë se në realitet Wondermind po përballej me vështirësi serioze financiare.
Paditësit thonë se u ishin paraqitur si të sigurta angazhimi i Gomez në marketing, partneritete me kompani të mëdha dhe mundësi të tjera për gjenerimin e të ardhurave. Sipas tyre, këto pretendime nuk përputheshin me realitetin.
Në padi thuhet gjithashtu se aplikacioni i premtuar nuk u zhvillua dhe se investitorët mësuan për problemet financiare të kompanisë pas një raportimi të The Cut në vitin 2025, ku u bë e ditur edhe se ishte larguar rreth 60 për qind e stafit.
Wondermind u themelua në vitin 2021 nga Selena Gomez, Mandy Teefey dhe Daniella Pierson. Investitorët kanë kërkuar që çështja të shqyrtohet nga një juri, ndërsa përfaqësuesit e Gomez dhe Teefey ende nuk kanë dhënë koment për padinë.