Zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit Karen Donfried mbërriti mbrëmjen e djeshme në Shqipëri në kuadër të një turi që po zhvillon në Ballkan. Gjatë ditës së sotme ajo pritet të ketë një sërë takimesh me zyrtarët shqiptarë. Axhenda e zyrtares së lartë të DASH-it këtë të premte parashikon takim me kryeministrin Edi Rama, ku biseda pritet të fokusohet  jo vetëm ne politikën e jashtme, si kriza në Ukrainë apo integrimi në Bashkimin Europian, por edhe politikën e brendshme: si  reforma në drejtësi  dhe  lufta kundër korrupsionit.

Përpara kësaj, Donfried do të zhvillojë një takim me 3 zyrtarët demokratë: Jorida Tabakun, Gazment Bardhin dhe Enkelejd Alibeajn. Ky takim, i cili do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit duke shmangur selinë blu vjen një ditë para Kuvendit të Komisionit të Rithemelimit.

Në agjendën e zyrtares amerikane nuk është parashikuar një takim me presidentin Ilir Meta.

Ditën e djeshme, Donfried zhvilloi një takim me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi që mbërriti po dje në një vizitë në Shqipëri. Në takim u shoqërua nga Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadorja Yuri Kim.