Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip T. Reeker, pritet të vijë në Tiranë ditën e nesërme. Reeker është duke zhvilluar një tur vizitash në Europë, duke u ndalur edhe në Shqipëri e më pas në Maqedoninë e Veriut. Lajmi është bërë i ditur më herët nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Reeker do të pritet në Tiranë nga Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe fushat e shqetësimit të ndërsjellë. Po kështu do të zhvillojë një takim me kreun e opozitës Lulzim Basha në selinë e PD. Takimi do të zhvillohet në orën 11:30 të mesditës. Më pas në 1 korrik, ambasadori Reeker do të mbërrijë në Ohër, ku do të marrë pjesë në Konferencën “Rruga për në Prespë” për të theksuar mbështetjen e SHBA për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në të gjithë rajonin. Po ashtu ai do të takohet edhe me kryeministrin Zaev, ministrin e Jashtëm Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar përparësitë e përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.