Ministrja e Kulturës Elva Margariti në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë u pyet ndër të tjerat për statusin e parkut të Butrintit, në veçanti për një zonë rreth 800 hektarë që ka humbur statusin e tij të mëparshëm. Margariti ka mohuar se do të ketë ndërtime në Parkun e Butrintit dhe në zonën e pambrojtur afër tij, ndërsa do të bëhet vetëm një qendër vizitoresh për të arritur standardet botërore.

“Plani i Butrintit ka vendosur në vëmendje për rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura, aty ku kanë humbur statusin. Zona e hequr prej 800 hektarësh është zona e Ksamilit, që shpesh e kemi quajtur Bathorja e Butrintit. Kjo është një zonë e deklaruar dhe me potenciale arkeologjike. Nga 2014 e më pas kemi vendosur një kuadër të qartë ligjor, ku kemi parë mungesën e potencialit. Nuk prekim asgjë që ka vlera mjedisore ose arkeologjike. Sa i përket zonës së Manastirit, ajo vazhdon e ka të njëjtin status, është status i një objekti fetar. Nuk ka rishikime të zonës për të hapur rrugën këtyre veprimeve. Sa i përket planit të menaxhimit, ndërtime në zonë nuk do të ketë, përvecse shikimit për qendrën e vizitorëve, që është një aset i munguar dhe i nevojshëm. Si i tillë do të shihet brenda të gjitha kritereve. Synimi ynë është ta kthejmë parkun në një park karbon-free”, u shpreh ministrja.