Ka shkuar në 15 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu mbrëmjen e së mërkurës spitalin modular të Tetovës, ku trajtoheshin të sëmurët me koronavirus. Burime zyrtare bëjnë me dije se mes viktimave ka pacientë, por edhe pjesëtarë të stafit mjekësor.

Zjarri i fuqishëm në këtë strukturë spitalore është paraprirë nga një shpërthim që mendohet të jetë shkaktuar nga oksigjeni që përdoret për të sëmurët me covid. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak dhe të materialeve që përdoren në spital. Në momentin e ngjarjes në spital mendohet të kenë qenë të shtruar 24 pacientë. 30 forca zjarrfikëse dhe disa mjete shkuan në vendngjarje dhe arritën të venë flakët në kontroll pas disa orësh.

Autoritetet zyrtare mendojnë se bilanci i viktimave mund të thellohet ende pasi ka ende persona të humbur.