Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar ditën e sotme për situatën e shkaktuar nga zjarri në ishullin e Sazanit. Gjatë një statusi në rrjetet sociale teksa shpërndan foton nga vendi i ngjarjes, Peleshi thekson se janë shtuar numri i efektivëve që po luftojnë çdo minutë për të neutralizuar flakët. Ministri thotë se situata vijon të jetë kritike. Gjithashtu Peleshi nënvizon faktin që tymi i madh i krijuar në të gjithë zonën po krijon rrezik dhe vështirësi për zjarrfikësit.

Prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit. Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë. Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll”, shkruan Niko Peleshi.