“Gjatë këtij viti ka pasur zëra të shumta që kanë rrethuar klubin dhe impenjimin e pronësisë te Inter. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Të gjitha gënjeshtra dhe spekulime”. Këtë ka pretenduar presidenti i Interit, Steven Zhang gjatë mbledhjes së aksionerëve të mbajtur sot. “E ritheksoj se projekti i pronësisë, mbështetja dhe angazhimi janë afatgjatë, vizioni ynë për të ardhmen është i qartë dhe i përcaktuar”.

Numri 1 i zikaltërve ka përsëritur ndërkohë rëndësinë e ndërtimit të një stadiumi të ri. “Stadiumi i ri është një projekt themelor për klubin – ka thënë ai për Ansa – Arritja e titullit është një lumturi e pamasë dhe fitore e të gjithë komponentëve të klubit. Ishte një demonstrim i punës së madhe të bërë në vitet e fundit, shpërblimi i strategjisë sonë afatgjatë. I dedikohet tifozëve të mrekullueshëm zikaltër që e kanë pritur për 11 vjet.”

“Nga hyrja jonë në 2016 deri më sot është kryer një rrugë e gjatë: Interi është bërë një klub global, fitues, inovativ dhe i lidhur me gjeneratat e reja në të gjithë botën. Brenda një konteksti ekonomik dhe social të goditur nga pandemia, qëndrueshmëria financiare e Kompanisë, e kombinuar me konkurrencën sportive në nivelet më të larta, janë pikat kryesore të strategjisë sonë. Rezultatet e arritura dëshmojnë për punën dhe përkushtimin tonë, Klubi i është kthyer fitores me një vizion të qartë dhe të përcaktuar”.