Përpara se të merrte frenat si kreu i shtetit, Emmanuel Macron pohoi se Franca kishte nevojë për një president “jupiterian”, duke thënë se një person “normal” do të ishte destabilizues për vendin.

Krahasimi i një pozicioni të zgjedhur në mënyrë demokratike me Mbretin e të gjithë Perëndive të mitologjisë romake, mund të duket hipokrizi, në një vend që shekuj më parë largoi me dhunë monarkinë.

Megjithatë, në 50 vitet e fundit, kushtetuta franceze ka evoluar, duke i dhënë më shumë pushtet presidentit, raporton euronews.

“Ne kemi një president në Francë që udhëheq Republikën, që kontrollon qeverinë, parlamentin dhe Gjykatën Kushtetuese. Do të thotë kemi një super president, si Jupiteri i Macronit”, tha Christophe Chabrot, ligjërues i së drejtës publike në Universitetin Lumiere Lyon 2.

“Është pak sikur u kthyem në vitin 1830, kur në monarkitë evropiane mbreti po fillonte të humbiste kompetencat kundrejt kryeministrit, por ende ruante shumë pushtet”, shtoi Chabrot.

Kritikët thonë se parlamenti i Francës po bëhet një “vulë” që miraton politikat e presidentit gjersa disa politikanë po bëjnë thirrje për një kushtetutë të re që sjell më shumë ekuilibër tek institucionet.

“Presidenti i Republikës në Francë ka me ligj, shumë më tepër pushtet se çdo president tjetër në Evropë”, tha Delphine Dulong, një profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Parisit I, Pantheon Sorbonne.

“Dhe në praktikë, presidentët e njëpasnjëshëm kanë shfrytëzuar tejmase të drejtat e tyre që u garanton kushteta”, pohoi ajo.

Fillimet e Republikës së Pestë të Francës

Kushtetuta aktuale e Francës daton nga viti 1958, kur gjenerali i njohur Charles de Gaulle formoi një republikë të re, pas një kryengritjeje në Algjeri.

Presidenti Rene Coty tha se Franca ishte në prag të luftës civile mes trazirave dhe se do të caktonte “më të shquarin e Francës…i cili, në vitet më të errëta të historisë sonë, ishte lideri ynë” për të udhëhequr qeverinë.

Më vonë, De Gaulle u zgjodh nga politikanët si presidenti i parë i Republikës së Pestë.

Republika e mëparshme ka qenë e vlefshme deri në Luftën e Dytë Botërore gjersa më shumë pushtet i jepte parlamentit, duke krijuar paqëndrueshmëri dhe konkurrencë midis partive politike, thonë ekspertët.

Vizioni i De Gaulle për republikën e re kishte për qëllim përforcimn e pushtetit të ekzekutivit.

“De Gaulle dëshironte një president që nuk ishte i kufizuar”, tha Dulong dukem shtuar “Në mendjen e De Gaulle, presidenti ishte mbi partitë politike dhe duhej të ishte politikisht neutral”.

Por, ndryshimet që pasuan në Kushtetutë, pozita e presidentit u përforcua shumë dhe u largua nga vizioni origjinal, duke krijuar këtë regjim të fuqishëm presidencial.

E drejta universale e votës

Një nga ndryshimet kryesore që kontribuoi në presidencën aktuale franceze ishte referendumi kushtetues i vitit 1962.

Në një përpjekje për të përforcuar legjitimitetin si president, De Gaulle mbajti një referendum mbi mënyrën se si zgjidhet presidenti.

Populli e mbështeti referendumin, duke votuar 62 për qind në favor të zgjedhjes së drejtpërdrejt të presidentit dhe jo përmes parlamentit.

Lëvizja përforcoi fuqinë dhe legjitimitetin e presidentit, ndërkohë që politizoi rolin e tij, thonë ekspertët.

“(Presidenti bëhet) domosdoshmërisht lider ose kampion i një kampi politik. Pra, ka një politizim të rolit presidencial”, tha Dulong.

De Gaulle e ndoqi masën duke shpërndarë parlamentin dhe mbajti zgjedhje të reja, duke rifituar shumicën.

Mandati presidencial

U shfaq problemi i quajtur bashkëjetesë – ku presidenti dhe shumica parlamentare nuk ishin të së njëjtës parti politike.

Që nga fillimi i Republikës së Pestë, bashkëjetesa ka ndodhur tre herë në vitet 1986, 1993 dhe 1997.

Herën e fundit, presidenti i krahut të djathtë, Jacques Chirac u detyrua të emëronte socialistin, Lionel Jospin si kryeministër.

Chirac më pas paraqiti një ligj për të ndryshuar kushtetutën në vitin 2000, duke kufizuar mandatin presidencial në pesë vjet në vend të shtatëve. Referendumi kaloi me sukses, ku pozitivisht votuan 73 për qind të votuesve.

“Presidenti mishëron interesin e përgjithshëm dhe vazhdimësinë e republikës. Do t’i zgjidhni më shpesh. Zëri juaj, vendimi juaj do të ketë më shumë rëndësi. Detyra juaj demokratike do të forcohet”, tha Chirac.

Referendumi nënkuptonte se zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin së bashku me zgjedhjet parlamentare me një distancë prej rreth një muaji, gjë që siguronte se kushdo që do të fitonte presidencën, do të fitonte edhe një shumicë parlamentare.

“Nuk ndryshoni mendimin tuaj politik brenda një muaji. Pra, zgjedhja e legjislaturës së re shpesh do të jetë prej shumicës që votuan edhe për presidentin”, tha Chabrot.

Kjo ndodhi kur presidenti aktual, Macron fitoi në zgjedhjet presidenciale me një parti të sapo formuar, e cila edhe në zgjedhjet parlamentare korri sukses, vetëm një muaj pas zgjedhjeve për president të Francës.

A mund të ndryshojë sistemi?

Kritikët thonë se sistemi duhet të ndryshojë për të ribalancuar institucionet, në mënyrë që të mos jetë një person që merr të gjitha vendimet e mëdha pa u mbajtur përgjegjës për to.

“Ne pamë kohët e fundit në Francë se ishte kryesisht presidenti, i mbështetur nga një këshill, i cili merrte vendime gjatë pandemisë”, tha Dulong.

“Por, meqenëse presidenti nuk mund të sulmohet, kryeministri Edouard Philippe është ai që po kritikohet”, pohoi ai.

Ish-kandidati presidencial i ekstremit të majtë, Jean-Luc Melenchon është ndër ata që bëjnë thirrje për një Republikë të Gjashtë për të “shfuqizuar monarkinë presidenciale” në një kushtetutë të re.

Por, Chabrot e Universitetit të Lyonit thotë se eliminimi i nenit 9 të Kushtetutës, i cili cakton presidentin si kreun e këshillit të ministrave ose kabinetit, mund të shtojë gjithashtu ekuilibrin në sistem.

Një ndryshim tjetër mund të jetë anulimi i zgjedhjeve presidenciale në mënyrë që presidenti të zgjidhet nga deputetët, senatorët dhe këshilltarët vendorë, siç ishte shkruar fillimisht në kushtetutën e vitit 1958.

“Të gjithë thonë se francezët janë të lidhur me zgjedhjet presidenciale, se është një e drejtë demokratike që duhet të shfrytëzohet. Kjo mbetet për t’u parë”, tha Dulong.

“Kur shikojmë përqindjen e abstenimit dhe fletëvotimet e zbrazëta që nga vitet 1980, shohim se zgjedhjet presidenciale po shkaktojnë krizë”, shtoi ajo.

Shumë nga ndryshimet që dërguan në sistemin aktual morën mbështetjen e popullsisë, me De Gaulle që konsolidoi pushtetin përmes referendumeve.

“Sa herë që presidenti shtypte një buton, ai fitonte. De Gaulle në vitin 1962, për shembull, shtypi butonin e referendumit dhe fitoi. Ai shtypi butonin e shpërndarjes së parlamentit dhe fitoi. Pra, çdo herë, presidenti francez përforconte pushtetin e tij”, tha Chabrot.

Ndryshe, nesër votuesit do të shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm, ku në garë janë presidenti aktual, Emmanuel Macron si dhe kandidatja pro-ruse, Marine Le Pen. Sondazhet e fundit i japin përparësi Macronit dhe mund të jetë një ndër politikanët e rrallë që ka fituar besimin e qytetarëve për herë të dytë.