Ibsen Elezi i cili garon sot me ish-kryeministrin Sali Berisha për kreun e PD-së, bëri thirrje që mos bëhen shkelje në procesin e votimit.

Ai tha që komisionerët të heqin imazhin e 13 qershorit.

Ndërsa theksoi se pas shpalljes se vendimit  do ta njohë rezultatin.

“Komisionerët kanë në dorë një proces që ka të bëjë me demokracinë, me votën dhe ajo çfarë unë kam bërë thirrje sot që në mëngjes është të heqin imazhin e 13 qershorit, të numërojnë çdo votë. Ka zëra që qarkullojnë se proceset kanë pasur shkeljet nga më të rëndat në të kaluarën.

Unë bëj thirrje dhe vjen logjikisht, nuk kam informacion dhe asnjë fakt për shkelje deri tani. Ka qenë situatë e tensionuar që vëzhguesit kanë pasur dilemat e veta dhe unë kam qenë tolerues. Drita e së ardhmes nuk është as doktori, as unë, por demokracia në këtë vend. Individët nuk janë drita e diellit. Jemi në një sistem ku duhet të vendosim për ide, jo për individë”, tha Elezi.

Ai tha nuk do të tolerojë parregullsi të konstatuara të kryera nga komisionerët.

“Jam fokusuar shumë te procesi dhe ndaj kam pranuar të jem në këtë garë. Kam luftuar shumë për proceset. Pas shpalljes së vendimit do ta njoh rezultatin. Kam toleruar shkelje të vogla, por nëse verifikohet se komisionerët nuk do jenë korrekt nuk do ta toleroj”, tha Elezi gjatë komunikimit për mediet pasi votoi për kerun e PD-së.