Në një konferencë për mediat, deputetja e PD Albana Vokshi, ka evidentuar ecurinë e procesit të zgjedhjeve për kryetar dege të PD në të gjithë vendin. Vokshi bëri me dije se për herë të parë janë zgjedhur 8 gra në krye të degëve të PD, pra 11% nga niveli 1% që ka qenë para procesit. Më tej demokratja tha se në 70 degë të PD ka përfunduar procesi zgjedhor.

“Ju informoj per ecurinë e procesit zgjedhor në të gjitha degët e PD. Ky proces ka nisur që në mbledhjen e komisionit të Rithemelimit në 9 janar. Në 70 degë të PD ka përfunduar procesi zgjedhor. Disa nga gjetjet e këtij procesi: Morën pjesë në total 39 mijë e 512 anëtarë që kanë ushtruar të drejtën e votës. Janë dy degë në të cilat ende s’është bërë Kuvendi për zgjedhjen e kryetarit të degës, Malësi e Madhe e Tirana dega 12. Me këto do tejkalohet dhe numri 40 mijë anëtarë, pra pjesëmarrja më e lartë se në 13 qershor. Ka qenë interesi shumë i lartë i demokratëve për të qenë pjesëmarrës qoftë me përzgjedhjen, zgjedhjen e kryetarëve në gjithë nivelet, hierarkinë e PD në gjithë degët. Në shumë raste në gjithë degët është kërkuar shtyrje e afatit për mbylljen e procesit për shkak të interesit të lartë. Në Bulqizë votimi është mbyllur në 9 të darkës, tregon që interesi i demokratëve për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor ka qenë tejet i lartë. Konkurrueshmëria ka qenë shumë e lartë”, tha Vokshi.

Ndër të tjera Vokshi tha po ashtu se shifrat tregojnë se nga ky proces partia ka dalë e bashkuar, jo e përçarë.

“Procesi është më transparenti që është bërë ndonjëherë. Kjo është ana më pozitive e tij. Pjesmarrja ka qenë më e lartë se më 13 qershor.  PD del e bashkuar nga këto zgjedhje, jo e përçarë”, tha Vokshi.