Vendimi për organizimin e zgjedhjeve në Forumin Rinor të Partisë Demokratike ka shkaktuar reagime brenda kësaj force. Është deputetja Albana Vokshi e cila përmes një publikimi në Facebook, e cilëson këtë veprim si arbitrar, ndërsa thekson se organizatat si LDGSH dhe FRPD organizohen dhe drejtohen në bazë të Statutit të tyre dhe as kryetari nuk mundet t’ua marr vendimarrjen.

“Organizatat Partnere të Partisë Demokratike, LDGSH dhe FRPD, janë forume që organizohen dhe drejtohen në bazë të Statutit të tyre. Askush, as Kryetari i PD, nuk ju merr dot vendimmarrjen. Asnjë organ, asnjë funksionar nuk mund të uzurpojë pushtetin që statuti ja njeh një forumi, organi apo funksionari tjetër”, shkruan Vokshi.

Duke e vënë theksin në situatën ku PD ndodhet aktualisht, deputetja shprehet se inati dhe hakmarrja nuk duhet të prevalojnë ndaj statutit.