Ndërkohë që janë caktuar datat për raundin e dytë dhe të tretë për Presidentin e Republikës, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të shkonin të diskutonin në lidhje me platformën e Enkelejd Alibeajt për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.

Balla tha se zgjedhja e Presidentit nuk bëhet me letra dhe se për këtë duhet të flitet.

“Proces me letra nuk bëhet. Mundësinë të takohemi e të flasim e kemi. Dokumentin ta vendosim në tavolinë e ta negociojmë. U tërhoqët, jeni të gatshëm ta negocioni dokumentin. Hajde, jam i gatshëm të ulemi tani. Mbyllim mbledhjen, ulemi diku dhe e diskutojmë. Dhe nëse biem dakord, dalim e informojmë. Shkoni të grupi juaj dhe konsultohuni për emra. Unë s’po u vë asnjë kusht. Të jetë një dokument që të shërbejë edhe në vitet në vijim,” tha Balla.

Ai ftoi Alibeajn që të merrte grupin e tij dhe të shkonin të bisedonin me të, Spiropalin dhe Gjiknurin.

Alibeaj tha se ishte gati që të negocionin me dyer të hapura dhe me kamera për emrin e Presidentit dhe principet mbi të cilat do të zgjidhet ai.