Nisi si një masë për të parandaluar përhapjen e covid, por ndalimi i muzikës tashmë po kalon në çështje shijesh që nuk i përshtaten kryeministrit Rama. Këtë lë të kuptohet mesazhi i reagimit të tij për protestën në Lungomare, ku bizneset kërkojnë lejimin e muzikës deri në orët e vona të natës. Në tre momente që e ka ndarë reagimin e tij, Rama nuk flet për covid, por për atë që e quan ndotje akustike. Gjithsesi kryeministri thotë se nga nesër muzika do të ndalet në orën 23:00, pra një orë më pas. Më poshtë reagimi i plotë i Edi Ramës:

Protestë në Lungomare për muzikën?
1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë
2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit.
3. Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike.