Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka reaguar me një deklaratë pas mesnatës për përgjigjen e kryeministrit Edi Rama mbi pastërtinë e figurës së kandidatëve për deputetë.

Në një mesazh në “Twitter”, ambasadorja shkruan se drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat sepse thanë disa ambasadorë, por se kërkohet nga ligji shqiptar dhe pritet nga një aleat i NATO-s dhe aspirant për BE.

“Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë kështu ose sepse SHBA e ka bërë të qartë se korrupsioni është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë atë sepse kërkohet nga ligji i Shqipërisë, pritet nga një aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së dhe është një shenjë themelore e respektit për votuesit”, deklaron ambasadorja e SHBA-ve.

Kryeministri Edi Rama përsëriti dje se kandidatët për deputetë që gënjejnë për të kaluarën e tyre mbajnë përgjegjësi individuale. Duke iu referuar apeleve të ambasadorëve në vendin tonë për të mos futur në lista kandidatë të dënuar më parë, Rama tha se nuk ka nevojë që t’i tregojë detyrën asnjë ambasador dhe se e di shumë mirë detyrën karshi ligjit dhe karshi popullit shqipta. Megjithatë, shefi i maxhorancës e cilësoi ligjin e dekriminalizimit shkelje të të drejtave të njeriut dhe tha se kjo është arsyeja që asnjë parti nuk e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese. Sipas Ramës, në çdo vend disa vite pas një krimi konsiderohesh i larë.