“Vendimi më i vështirë për tu marrë” shkroi Taulant Xhaka për të lajmëruar publikisht lamtumirën nga përfaqësuesja e Shqipërisë, me të cilën ka ndarë beteja e sfida të panumërta, por që në fund humbën mes kontradiktave e pakënaqësive, duke bërë që mesfushori i Basel të mos ishte më pjesë e kuqezinjve. Diku për refuzimin e tij, si sqaron Reja, e diku për zgjedhje teknike të trajnerit, por mes kombëtares dhe Xhakës u krijua një hendek, që vështirë të gjendet se kush e gërmoi më shumë.

Me një postim në rrjetin social ‘Instagram’ Xhaka ka falënderuar të gjithë tifozët për këtë eksperiencë fantastike, duke e justifikuar zgjedhjen e tij me faktin se “është koha që t’i japë mundësi brezit të ri”. Krenar që mbajti veshur fanellën e kombëtares, një ëndërr e bërë realitet, Xhaka falënderoi të gjithë trajnerët me të cilët ka punuar, FSHF-në si dhe të gjithë dashamirësit e futbollit, duke e konsideruar momentin kulmor “kualifikimin e Shqipërisë në Europian”.

 

Tani, përgjigja ka ardhur nga presidenti i Federatës Armand Duka, që me një postim në Facebook i është përgjigjur mesfushorit, duke i kujtuar se ajo mes tij e kombëtares është “një histori lufte, përpjekjesh, triumfi dhe vuajtjesh. Një histori njerëzore në të gjitha dimensionet e saj”. Vlerësimi për lojtarin, ikonik në ngjarjet e Beogradit, është ai më i madhi: “Ti ke qenë një motor për ekipin, një luftëtar i vërtetë, një djalë i përkryer (në fakt, do vazhdosh të jesh por jo më si lojtar). Për fat të keq, për këtë rol, nuk e kemi një zëvendësues”.