Ministrja për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka i është përgjgjiur deputetit të PD Agron Shehaj në lidhje me investimet strategjike. Më herët, Shehaj e akuzoi atë se bashkëshorti i saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik. Xhaçka tha në parlament se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se investimi i bashkëshortit të saj në hotelin me pesë yje në jug është tërësisht privat.

“Që unë nuk jam në konflikt interesi, këtë nuk e them vetëm unë sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala e deputetit Shehaj përballë fjalës time. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë ILDKPI. Dhe një përfaqësues serioz i popullit e aq më shumë një parti në këtë kuvend minimumi duhet të kishte bërë detyrat e shtëpisë përpara se t’ju merrte qytetarëve, por edhe kolegëve kohën e vëmendjen. Dhe për të bërë detyrat e shtëpisë do t’i mjaftonte të kërkonte në arkivat e partisë së tij, për raste të ngjashme kur të tjerë përpara tij kanë ngritur furtuna në gotë për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese e cila në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo ministrave të merren me biznes.

Im shoq merret me biznes që në vitin 1991. Edhe im shoq, si z. Shehaj e ka nisur biznesin si emigrant në Itali, për ta vazhduar më pas në Shqipëri. Dhe pas 30 vitesh në biznes, është angazhuar sot për të bërë një investim serioz, një hotel me 5 yje në Jug. Tani, qytetarët kur dëgjojnë z. Shehaj që ulërit për statusin e investitorit strategjik, e konfliktin e interesit apo përfitime abuzive nga publikja natyrshëm ju lind e drejta të mendojnë që këtu po bëhet nami. Që këtu po falen prona e fonde e po shkelet ligji e kushedi çfarë tjetër.”, tha Xhaçka.