Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke folur për dialogun me Kosovën, është shprehur ditën e sotme se situata për Serbinë është pothuajse e pashpresë.

Megjithatë, ai shtoi se “do të luftojnë për popullin e tyre”.

Presidenti serb në një konferencë për shtyp nga Aeroporti i Beogradit ku kishte dalë të priste 150 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, nuk e ka kursyer ironinë për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ndërsa u shpreh se “ai është duke i zgjidhur Serbisë edhe zhvillimet e saj të brendshme.”

“Serbia e di se cilat janë interesat e saj kombëtare dhe shtetërore dhe do të vazhdojë të luftojë për popullin e saj dhe të drejtat e tyre, pavarësisht nga fakti se situata është pothuajse e pashpresë”, tha Vuçiç kur u pyet nëse Serbia ka një përgjigje për presionet e reja nga Prishtina dhe Uashingtoni dhe paralajmërimet për një platformë të re për vazhdimin e dialogut.

Sa i përket Kurtit, presidenti serb tha: “Nuk keni përgjigje konkrete, shoh që Albin Kurti po e zgjidh edhe situatën tonë të brendshme e po tregon se si duhet të duket Serbia dhe kush duhet të jetë në pushtet. Ndaloni, heshtni, lërini, ata janë të gjithë të fortë dhe të mençur. Ne do t’i lëmë, ata le ta bëjnë punën e tyre, ne do të bëjmë tonën.”