Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Izraeli i ka lënduar shumë duke e njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, ai shton se kanë bërë gjithçka për ta kapërcyer atë situatë.

Gjatë një interviste për Jerusalem Post, presidenti serb, ka thënë se “populli hebre mbetet mik me popullin serb”.

“Jemi në të njëjtën anë të historisë”, ka deklaruar Vuçiç. “Izraeli e njohu pavarësinë e Kosovës, gjë që na lëndoi shumë. Por ne bëmë të pamundurën për ta kapërcyer atë situatë”, ka thënë ai. “Dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të rindërtojmë marrëdhëniet tona me mirëbesim dhe se do të jemi në gjendje të krijojmë besim dhe besim të vërtetë midis dy kombeve tona”.

Njohja e Kosovës ka rezultuar si pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit, më 4 shtator 2020.

Asokohe, kryeministër i Kosovës ishte, Avdullah Hoti, ndërkaq presidenti i Serbisë, po i njëjti që vazhdon të jetë.

Kosova dhe Serbia nënshkruajtën dy dokumente të ndryshme, në dokumentin që e nënshkroi Hoti ishte e dhe njohja e Kosovës nga Izraeli.

Por kishte një kusht, vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem – një lokacion i kontestuar gjeopolitikisht, por i njohur nga SHBA si kryeqytet hebrej.