Realiteti, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, po ndeshet sot me disa probleme thelbësore të akumuluara – përtej akumulimit të mëkateve të personave që na kanë qeverisur – që bëjnë thirrje për ndryshim. Le të rendis disa nga këto:

– Kriza morale, politike, kulturore e krijuar nga një kapitalizëm i egër neoliberist, konsumist, i deformuar rëndë nga kombinimi i tij me korrupsionin, mungesën e shtetit të së drejtës, të mediave të lira dhe (në Shqipëri veçanërisht) ekonominë e trafiqeve të drogës.

– Kriza e ndeshjes me globalizmin që në kushtet e varfërisë, paaftësisë dhe krimit rrezikon t’i shpërbëjë të dyja vendet tona të vegjël dhe të brishtë në hapësira për shfrytëzim të shfrenuar me rrënim të trashëgimisë natyrore, kulturore, shpirtërore, indit social etj..

– Sundimi i një elite politike kulturore, që e ka tjetërsuar pushtetin si shërbim ndaj publikes në kapje të shtetit në funksion të bizneseve e interesave private të veta dhe të klientelës së vet.

– Ikja në këto kushte jashtë vendit për të mbijetuar e njerëzve të papërfaqësuar nga kjo elitë dhe të pambrojtur nga institucionet e këtij shteti të kapur.

– Mosaftësia apo mosinteresi për t’u emancipuar nga kujdestaria apo protektorati i ndërkombëtarëve, të cilët, rëndom, në funksion të interesave gjeopolitike apo të bizneseve të shteteve që përfaqësojnë, kanë një aleancë me elitën e korruptuar në pushtet.

Sigurisht, të dyja vendet kanë edhe problemet e veta specifike. Për Kosovën do të përmendja ato të pazgjidhura, lidhur me njohjen ndërkombëtare, ato të njohjes reciproke me Serbinë si dhe ato të krimeve të Luftës. Për Shqipërinë do të theksoja problemin e narkoshtetit që e ka çuar vendin në një stad shumë më të avancuar sesa në Kosovë për sa i përket shtetit të kapur dhe autoritar. Por do të thosha se ky problem i Shqipërisë mbetet kërcënim i hapur edhe për Kosovën, jo vetëm për shkak të ndikimit të madh që ka Shqipëria në Kosovë, por edhe sepse ky stad i Shqipërisë mund të mbërrijë edhe në Kosovë, nëse do të vazhdojnë problemet që përmenda më sipër. Sepse një ekonomi e përqendruar në pak duar dhe e dështuar për sa i përket aftësisë për prodhim, kompeticion dhe respektim të ligjit mund të degjenerojë lehtë në ekonominë e narkotrafiqeve së bashku me të gjitha rreziqet për demokracinë, meritokracinë, ekonominë e qëndrueshme që sjell bashkëpunimi politikë – biznes – krim, që po shfaqen sot në mënyrë dramatike në Shqipëri.

Ndër partitë politike shqiptare që kanë qenë në pushtet këtej dhe andej kufirit, po të vesh re, problemet që rendita nuk artikulohen si probleme që kërkojnë riformulime themelore të programeve të tyre politike. Ato, më së shumti, konsiderohen si vështirësi të tranzicionit apo mëkate liderësh të caktuar dhe, si rrjedhojë, nuk shohim të paraqesin programe politike për ndryshimin e këtij realiteti përveçse reformës në drejtësi të imponuar nga ndërkombëtarët që, në fakt, ka dështuar më herët në Kosovë dhe tashmë në Shqipëri.

E vetmja parti që jo vetëm i ka denoncuar problemet që përmenda, por edhe premton t’i përballojë duke ofruar edhe një program alternativ, është Vetëvendosja e Albin Kurtit.

Ja pse gjykoj se një votë për Vetëvendosjen në 14 shkurt do të ishte një votim për të mbajtur gjallë një shpresë për ndryshim jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë.

***

Cila është rezerva lidhur thirrjen e saj “krejt dhe drejt”. Kjo thirrje që nënkupton se i duhet dhënë i gjithë pushteti Vetëvendosjes në mënyrë që të bëhen punët drejt, përmban një rrezik mossuksesi, përveçse autoritarizmi, që duhet mbajtur parasysh. Është shumë thjeshtëzuese ta ndash popullit “e mirë” nga elitat dhe institucionet “e këqija”, pra, kur popullit i thuhet se fajin e kanë elitat e korruptuara, duke i përcaktuar armikun kundër të cilit duhet të bashkohet. Në fakt, e keqja që duhet ndryshuar është shumë më komplekse sepse, tek e fundit, synohet të ndryshohen shumë nga ata që cilësohen si armiq, çka do të thotë, në një kuptim më të thellë, se synohet të ndryshohet vetë populli “i keq” që i ka pjellë, votuar dhe mbështetur dhe që, me siguri, do t’i mbështesë në masë të konsiderueshme edhe në këto votime. Pra, në emër të një ndryshimi që synon edhe rritjen e demokracisë si pushtet i popullit, duhet nisur nga parimi se, për ta përmbushur demokracinë, nuk duhet ta thjeshtësosh, por ta ndërlikosh. Që do të thotë se për ta bërë të flasë e vendosë popullin, zërat e tij duhen shumëfishuar, se duhet të ketë polifoni dhe jo një solist të vetëm.

Panorama