Gjatë një seance dëgjimore përpara Senatit, kreu i Instagram Adam Mosseri tha se kompania po punon për një version të “feed-it” të saj që do të shfaqë postimet e përdoruesve në rend kronologjik, ndryshe nga algoritmi i saj aktual që rendit postimet bazuar në preferencat e përdoruesve.

Feed-i i prezantuar në 2016-ën, dhe më pas i përditësuar në 2017-ën për të përfshirë postimet e rekomanduara, nuk pëlqehet gjerësisht nga përdoruesit, të cilët preferojnë që postimet e tyre dhe postimet e miqve të tyre të shfaqen në rend kronologjik. Feed-i aktual përdor Inteligjencën Artificiale për të krijuar atë që Instagram e konsideron feed më të personalizuar, bazuar në aktivitetin dhe preferencat e përdoruesve.

Mosseri u paraqit para Senatit ku ai “u vendos me shpatulla pas murit” nga senatorët për çështjet e sigurisë së fëmijëve në aplikacion, menjëherë pas publikimit të dokumentave të brendshme në Wall Street Journal që sugjeronin se kompania ishte në dijeni që aplikacioni i saj mund të ishte “toksik” për adoleshentët.

“Kini pak empati. Mbani përgjegjësi,” Senatorja Marsha Blackburn qortoi Mosserin ndërsa seanca u mbyll.

Gjatë dëshmisë së tij, Mosseri propozoi krijimin e një “organi kompetent” që do të përcaktonte praktikat më të mira mbi trajtimin e të dhënave të fëmijëve dhe kontrollet prindërore për të ndihmuar në mbajtjen e fëmijëve të sigurtë në internet. Organi do të merrte të dhëna nga prindërit, rregullatorët dhe shoqëria civile, për të krijuar standard dhe mbrojtje universale.

Të martën, Instagram prezantoi opsionin “Take a Break” që filloi ta testonte muajin e kaluar për përdoruesit në SHBA dhe vendet e tjera anglisht folëse. Ky opsion i nxit përdoruesit të ndalojnë përdorimin e aplikacionit pasi e kanë përdorur atë për një periudhë të caktuar kohore.

“Ajo që ju keni sugjeruar deri më tani është e pakuptimtë,” i tha Blumenthal Mosseri-t përpara se të përfundonte seancën, duke iu referuar Take a Break dhe përditësimeve të tjera. “Kjo nuk do t’i shpëtojë fëmijët nga efektet e varësisë ndaj platformës suaj.”