Ministri i shëndetësisë  në Kosovë Arben Vitia ka bërë sot të ditur se situata epidemiologjike në vend është përmirësuar në javët e fundit. Po ashtu, Vitia tha se  deri në fund të këtij viti, qeveria do të sigurojë 2 milionë vaksina kundër Covid-19.

Lajmin, ministri e bëri të ditur në raportimin e tij në Komisionin për Shëndetësi, ku ndër të tjera tha se IKSHPK bëri të ditur se edhe numri i rasteve të vdekjeve dhe të infektuarve është ulur.

“Sa i përket situatës epidemiologjike është përmirësuar ndjeshëm javët e fundit. Të dhënat në IKSHPK tregojnë se numri i rasteve të vdekjeve ka një ulje prej 60 për qind…”, u shpreh Vitia.

Ministri po ashtu tha se vaksinimi kundër COVID-19 ishte kryefjala e angazhimeve të tyre për t’i siguruar ato. Ai gjithashtu është shprehur se qeveria Hoti nuk ka pranuar kontakt me prodhuesit e vaksinave në momentin kur ka marrë detyrën.

“Vaksinimi kundër COVID-19 ishte kryefjala e angazhimeve tona për të siguruar vaksinat. Plani nacional për vaksinim veçse ka filluar, dhe në javët e para kemi zbatuar planin nacional ekzistues. Në momentin e ardhjes në detyrë nuk kemi pas kontakt me prodhuesit e vaksinave, por ato i kemi bërë gjatë punës tonë. 2 milion doza do t’i kemi deri në fund të vitit, për vaksinimin e 60 për qind të popullatës. Procesi i vaksinimit po vazhdon në përputhje me të gjitha ekipet tona. Nga 89 ekipe, do të rritet me 190 ekipe shtesë.”