Gjatë një inspektimi të procesit të vaksinimit të mësuesve në Kamëz, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zbuluar datën e mbërritjes së vaksinave kineze. Sipas ministres vaksinimi masiv pritet të nisë javës që vjen, kohë kjo që përkon me mbërritjen e vaksinave kineze Sinopharma. Manastirliu tha se ditën e sotme do të mbyllet marrëveshja me shpërndarësit turq që do të sjellin vaksinat në vend.

Kryeministri Edi Rama, i cili shoqëronte ministren gjatë inspektimit që u trasmetua live, bëri me dije se objektivi kryesor në këtë situatë është nisja e vaksinimit masiv për të moshuarit.

“E kam në majë të gjuhës, por do ta mbaj edhe pak fare, për gjyshërit dhe gjyshet, të cilat janë pika e dobët e çdo familje nga pikëpamja e dashurisë dhe përkujdesit, por edhe nga pikëpamja e shëndetit janë pika e dobët. Fillimi i vaksinimit masiv për gjyshërit dhe gjyshet është fiksimi, ambicia dhe gjithë qëllimi i vajtjes time në punë gjatë gjithë kësaj periudhe, me ndihmën e Zotit, të miqëve dhe këmbënglujen tonë, besoj që lajmi i mirë do të dalë nga goja më në fund, edhe pak fare”, tha kryeministri.