Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka nënshkruar marrëveshjen për furnizim me vaksina kundër Covid-19 me kompaninë kineze “Sinofarm”. Sipas marrëveshjes rreth 200 mijë doza të vaksinave do të arrijnë në vendin fqinj gjatë muajit shkurt.

“Vaksina e kompanisë “Sinofarm” ruhet dhe shpërndahet në një temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius, ndërsa është e paketuar në shiringë të mbushur paraprakisht, e cila lehtëson aplikimin e vetë vaksinës. Ky lloj i vaksinës ka një lidhje optimale midis sigurisë dhe efikasitetit, prandaj mund t’u jepet të gjithë qytetarëve, pa kufizime”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri Filipçe tha se nuk ka rëndësi të madhe lloji ose vendi i prodhimit të vaksinës kundër Covid-19, por që  me rëndësi për është që të sigurohet vazhdimësi e imunizimit, respektivisht mos të ketë ndërprerje të procesit të imunizimit në vend.