gomone
Rreth 167 kg marijuanë është sekuestruar nga policia e Leçes e cila vinte nga Shqipëria. Në kuadër të operacionit policor “Triton 2015”, avioni i policisë aeronautike identifikoi në Kanalin e Otrantos, 16 milje larg qytezës San Kataldo, një gomone me tre persona dhe ngarkesë të dyshuar. Menjëherë pasi janë pikasur nga policia, tre skafistët kanë braktisur gomonen bashkë me drogën dhe janë larguar në drejtim të paditur.
Ngarkesa e drogës ishte hedhur në det për t’u marrë më vonë në zonën e “Case Simini”, në provincën e Leçes.
Policia gjeti gjithashtu edhe furgonin i cili do të merrte në dorëzim ngarkesën me 167 kg marijuanë. Në të, policia sekuestroi një celular ku ishin regjistruar mesazhe në gjuhën shqipe. Ndërkohë, Prokuroria e Leçes ka nisur hetimin për identifikimin dhe kapjen e trafikantëve, si edhe destinacionin përfundimtar të lëndës narkotike.