Përfundoi 0-0, pa gola dhe me pak emocione ndeshja e parë e EFL Cup (Kupa e Ligës së Anglisë) mes Liverpool dhe Arsenal. Pas një jave, të enjten e ardhshme, kthimi për të vendosur se kush do ta sfidojë Chelsean në finale. Një barazim që i përshtatet mbi të gjitha Gunners, me dhjetë lojtarë për pothuajse të gjithë ndeshjen, pas kartonit të kuq për Xhakën në minutën e 24: Reds, pa Salah dhe Manè të angazhuar në Kupën e Afrikës, nuk e shfrytëzuan avantazhin numerik.

Në ndeshjen e parë, Gunners dalin të padëmtuar pavarësisht inferioritetit numerik në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe mbajnë shpresat e hapura për t’u përballur me Chelsean në finale. Një nisje e ngadaltë e takimit dhe kthesa e mundshme e sfidës erdhi në minutën e 24, kur Xhaka ndërhyri me egërsi ndaj Diogo Jotës duke u ndëshkuar me karton të kuq. Kështu, Arsenal luajti me dhjetë lojtarë për pjesën më të madhe të ndeshjes, por Reds (pa yjet Manè dhe Salah të angazhuar në Kupën e Afrikës) e patën të vështirë të krijojnë raste shënimi dhe u përplasën rregullisht në mbrojtjen e londinezëve.

Pak emocione për Liverpool, ndërsa Arsenal u mbështet në kundërsulm me shpejtësinë e Sakas dhe Martinellit. Pikërisht Saka pati rastin më të mirë të ndeshjes, por megjithatë i mungoi cinizmi në zonë në minutën e 71. Dy formacionet bllokuan njëri-tjetrin deri në fund, djemtë e Klopp ishin makinozë dhe Arteta mund të kënaqet me një barazim të çmuar.