Pas ndalimit për një javë për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II, futbolli britanik është rikthyer këtë fundjavë në fushë. E megjithatë ka patur homazh, minutë heshtje dhe duartrokitje për sovranen e ndjerë. Por jo të gjithë e respektuan zinë. Madje shfrytëzuan minutën e heshtjes për të organizuar protestën e tyre të ashpër kundër familjes mbretërore. Tifozët e Celtic Glasgow, të impenjuar në fushën e St Mirren, shfaqën një pankartë polemizuese dhe kënduan kore kundër monarkisë britanike.

Është periudhë zie për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ose pothuajse. Ka nga ata që përfituan nga humbja e Mbretëreshës Elizabeth II për të përshkallëzuar protestën e tyre kundër monarkisë. Tifozët e Celtic, gjatë minutës së heshtjes, shfaqën një pankartë të fortë të shoqëruar me duartrokitje ironike dhe kore polemizuese: “Nëse e urreni familjen mbretërore, duartrokitni”, lexohej në pankartë, e ndjekur nga duartrokitje dhe shumë ofendime. Një qëndrim proteste që ka rrënjë të lashta.

URREJTJA E TIFOZËVE TË CELTIC

Celtic ka përfaqësuar gjithmonë pjesën e Glasgow të përbërë nga pasardhës të emigrantëve katolikë irlandezë dhe republikanë. Ata kanë qenë gjithmonë në konflikt të hapur me monarkinë dhe protestues kundër familjes mbretërore. Vetë klubi gjatë kësaj periudhe zie nuk i ndali aktivitetet e tij si të gjitha klubet e tjera britanike. Për më tepër, ata nuk ndërmorën ndonjë iniciativë për të kujtuar Elizabeth II.

I kotë apeli i trajnerit të Celtic, Ange Postecoglou, i cili u kishte kërkuar tifozëve të tij të respektonin minutën e heshtjes. Hutim dhe siklet mes gazetarëve të SkySports që po përgatiteshin të komentonin ndeshjen e St Mirren Park: “Kërkojmë falje nëse ajo që u dëgjua mund t’ju ketë ofenduar,” tha komentatori Ian Crocker. “Shumica e njerëzve treguan respekt, të tjerët jo”.