Janë përcaktuar tashmë edhe tetë skuadrat e kualifikuara për në cerekfinale të Europa League. I bashkohet katër të parave edhe Manchester United që eleminon Milan në shtëpi, ndërsa Villareal e Ajax nuk e kishin vënë në dyshim kalimin e raundit. Slavia e Olayinka befason Rangers në Skoci, duke i rrëmbyer kualifikimin.

MILAN – MANCHESTER UNITED 0-1
Milani BIE 1-0 në San Siro kundër Manchester United dhe përshëndet Ligën e Evropës në fazën e 1/8. Kështu është thyer ëndrra evropiane e Milanit. Djemve të Piolit nuk i ka mjaftuar karakteri dhe cilësia e vendosur në fushë në pjesën e parë, kundër një United që nuk është i parezistueshëm. Kuqezinjtë e përballin ndeshjen me personalitet, duke kontrolluar 0-0 me siguri dhe madje duke trembur mbrojtjen kundërshtare disa herë. Hyrja e Pogba në fillim të pjesës së dytë, megjithatë, ndryshoi kartat në tavolinë: francezi përmbysi lojën me talentin e tij dhe fuqinë fizike dërrmuese, duke shënuar menjëherë dhe duke luftuar vazhdimisht me një mbrojtje që deri në atë moment ishte e kufizuar në administrimin e zakonshëm. Milani pagoi edhe një herë dobësinë sulmuese, të ekuilibruar vetëm në finale nga kthimi i Ibras në fushë, të cilit i duhen disa ndeshje për ta bërë të qartë se sa thelbësor do të jetë kontributi i tij nga tani deri në fund të sezonit.

RANGERS – SLAVIA PRAGUE 0-2
Gerrard turpërohet në Gllsgou nga Slavia e Pragës. Pasi kishte barazuar në Ceki, për skocezët u duk e thjeshtë fitorja në shtëpi, ku edhe barazimi pa gola i conte në cerekfinale. E megjithatë tekniku i Rangers nuk i kishte bërë llogaritë me ish-sulmuesin e Skënderbeut Peter Olayinka që shënoi golin e parë në minutën e 14. Kjo përmbysje situate i nervozoi skocezët që e mbyllën ndeshjen me 9 lojtarë pas daljes me të kuqe të Roofe në minutën e 62 dhe të Balogun në të 73. Vetëm një minutë më pas Stanciu shënoi golin e dytë, duke blinduar kalimin në cerekfinale.


VILLAREAL – DYNAMO KYIV 2-0
Dy gola në transfertë e dy në shtëpi i mjaftojnë Villareal për të kaluar Dinamon e Kievit. E fortë nga fitorja e parë në Ukrainë, nëndetsja e verdhë nuk e diskutoi kualifikimin në Spanjë. Gerardo Moreno me një dygolësh vendosi ndeshjen, me sulmuesin që zhbllokoi rezultatin në minutën e 13, ndërsa mbylli llogarinë që në pjesën e parë, me golin e shënuar në minutën e 36.


YOUNG BOYS – AJAX 0-2
Pesë gola për të shkuar në cerekfinale. Ajax tregon forcën përballë Young Boys, duke shënuar dy në Amsterdam, pas tripletës në Zyrih. Hollandezët nuk e diskutonin kalimin e raundit, të arritur me vetëm 90 minutat e para, e megjithatë synuan fitoren që erdhi me golat e Neres e Tadic. Braziliani shënoi në minutën e 21, ndërsa penalltia e minutës së 49 nga Tadic mbylli llogarinë.


EUROPA LEAGUE – ROUND OF 16
Arsenal 0 – 1 Olympiacos
Dinamo Zagreb 3 – 0 Tottenham Hotspur
Molde 2 – 1 Granada
Shakhtar Donetsk 1 – 2 Roma
AC Milan 0 – 1 Manchester United
Rangers 0 – 2 Slavia Prague
Villarreal 2 – 0 Dynamo Kyiv
Young Boys 0 – 2 Ajax