Manchester City, që dihej, e Real Madrid janë dy skuadrat e para të kualifikuara në cerekfinale të Champions League. Anglezët, pasi kishin fituar me goleadë në Lisbonë, u mjaftuan me një 0-0 në shtëpi kundër Sporting. Përmbysjen e madhe e bëri skuadra e Ancelottit, që rikuperoi jo vetëm avantazhin e Mbappe, por edhe humbjen e ndeshjes së parë në Paris, me një tregolësh të Benzema që nxorri jashtë kompeticionit PSG-në.

REAL MADRID 3-1 PSG
Real Madrid avancon në cerekfinale, Psg del jashtë Champions League. Në ndeshjen e kthimit të 1/8 së Ligës së Kampionëve, skuadra e Ancelottit mposhti me përmbysje 3-1 formacionin e blinduar të Pochettinos dhe kthen fatet edhe të ndeshjes së parë, duke fituar të drejtën për të shkuar në çerekfinale me një super paraqitje në pjesën e dytë. Në Bernabeu, në pjesën e parë Mbappé (39′) iluzionoi parisienët duke zhbllokuar ndeshjen, më pas Benzema mori skenën duke i dhuruar Blancos kalimin e raundit me një tregolësh fantastik (61′, 76′, 78′) . Ka mbrëmje kur futbolli reklamon rolin e tij si sporti më i dashur dhe më i ndjekur në botë. E këtë e bën përmes ndeshjeve si ajo mes Realit dhe PSG-së, e destinuar të mbetet në historinë e Champions League. 3-1 përfundimtar, me të cilën skuadra e Ancelottit përmbysi 0-1 të ndeshjes së parë, duke marrë kualifikimin në çerekfinale, është produkt i dy pjesëve shumë të ndryshme nga njëra-tjetra për t’u përfshirë në të njëjtin 90 minutësh. Për një orë ishte vetëm PSG në fushë, e tërhequr nga një Mbappe fantastik, gati për të pretenduar Topin e Artë. Më pas erdhi episodi i 1-1: Reali mund të barazonte vetëm me një veprim individual ose me ndihmën e kundërshtarëve. E ai që ndikoi ndeshjen ishte Donnarumma, protagonist i gafës që çoi në golin e parë të Benzema, që riktheu në lojë Blancos. Që aty, PSG u zhduk nga fusha në mënyrë të turpshme. Ishte vetëm Reali, skuadra që askush nuk mund t’a largojë nga Champions League, edhe kur duket larg formës më të mirë. Në fushë mbreti ishte vetëm Karim Benzema, i pashtershëm. Me të edhe një Modric spektakolar, që kishte gjurmnët e tij edhe në dy golat e tjerë të francezit.

MANCHESTER CITY 0-0 SPORTING LISBONE
Manchester City menaxhon ndeshjen e kthimit me Sportingun dhe fluturon për në çerekfinale të Champions League. Pas 5-0 në Portugali, që në fillim ndeshja u kthye në një numërim mbrapsht për kalimin e raundit nga skuadra e Guardiolës, që rreshtoi gjithësesi skuadrën tipike me përjashtim të De Bruyne, që rrezikonte skualifikimin. E skenari ishte i ngjashëm me atë të ndeshjes së parë, edhe pse pa një pjesë të parë të shfrenuar: zotërim i topit dhe kërkim për hapësirën e duhur, por diçka duket se mungonte në hapin e fundit. Në pjesën e dytë, Guardiola shfrytëzoi rastin për të futur Mahrez në vend të Bernardo Silvës dhe, mbi të gjitha, James McAtee të datëlindjes 2002, i cili zëvendësoi Foden. Sfida u duk se u zhbllokua në fillim të pjesës së dytë, por goli i Gabriel Jesus në asistin e Mahrez u anulua për shkak të pozicionit milimetrik jashtë loje të brazilianit. Përfundoi 0-0: një rezultat që i shtohet 5-0 në Lisbonë, e vlen kalimin e raundit për Pep Guardiolën, i cili arrin çerekfinalet dhe mban gjallë ëndrrën për t’i dhënë Ligën e Kampionëve të shumëpritur Manchester Cityn e tij.