“Viti i ri, fat i ri” thonë dhe Partizani kërkon të bëjë shprehjen realitet. Në debutimin e Dritan Mehmetit në pankinë, të kuqtë kanë fiksuar një 0-3 në transfertë me Egnatian, duke fundosur rrogozhinasit në renditje. Sinjale pozitive për teknikun jo vetëm nga skuadra që e ndjek, por edhe nga blerja e fundit Skuka, një sulmues që Mehmeti e njeh mirë e që debutoi me gol në javën e 16.

Situata e vështirë e Egnatias i diktonte mënyrën e lojës skuadrës së Zekerija Ramadanit, që goditën edhe traversën me Imerin në pjesën e parë, por vuajtën psikologjikisht emrin dhe eksperiencën e kundërshtarit, që në pjesën e dytë bëri diferencën me tre gola të shënuar e një ndeshje të vënë në kasafortë. Esat Mala hapi serinë e golave në minutën e 47, ndërsa Skuka siguroi rezultatin në minutën e 61. Vulën ndeshjes ia vuri Rrapaj, me golin e tretë 17 minuta nga fundi.

Kampionati i rifillon me një kalendar të thjeshtë të kuqve, që pasi likuiduan rrogozhinasit, do të ndeshen me Kastriotin javën e ardhshme. Me suksesin 0-3, Partizani u rikthye te fitorja pas 2 humbjesh radhazi, duke u ngjitur në kuotën e 21 pikëve, në vendin e 5. Po shkon gjithnjë e më keq për Egnatian, që mbajnë vendin e 9 me 14 pikë në 16 ndeshje dhe javën e ardhshme shkojnë vizitorë në Shkodër përballë Vllaznisë.