Shqipëria pëson humbje 1-2 me përmbysje në takimin e dytë të grupit 2 në Ligën B në Nations League, përballë Izraelit, që merr kështu kryesimin me 4 pikë, dy mbi Islandën dhe duke lënë vendin e fundit për të besuarit e Rejas me 1 pikë. Duhej të ishte ndeshja e kthesës për cështje performance, në krahasim me sfidën e Rejkjavikut, sidomos duke patur parasysh kthimin e Brojas e Uzunit e rikuperimin e Asllanit e Bajramit, por kuqezinjtë bënë edhe më kaq duke dalë të mundur me një rezultat që mund të ishte edhe më agresiv.

E të mendosh që Shqipëria e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0 ndaj Izraelit, duke zhbllokuar një ndeshje të ekuilibruar. VAR i mohoi mundësinë e parë për penallti Armando Brojës, që ishte bërë gati të godiste pas faullit ndaj Uzunit, por mundësia iu përsërit në fundin e pjesës së parë, kur 11 metërshin e fitoi Balliu. Sulmuesi shkodran u tregua i ftohtë përballë portierit Marciano, duke e cuar peshë stadiumin dhe kuqezinjtë në dhomat e zhveshjes në avantazh.

Reagimi i Izraelit u kuptua që në rinisjen e lojës, në pjesën e dytë, me kuqezinjtë nën presionin e kundërshtarit, që gjeti edhe barazimin në minutën e 57. Në një kundërsulm të shpejtë të miqve, mbrojtja e Rejas u gjend e pavendosur dhe Solomon kaloi në një kundër një Gjimshitin, përpara se të siluronte Berishën në shtyllën e parë. Goditja ishte më tepër mendore, me kuqezinjtë që patën këmbë të rënduara, mendjen edhe më shumë dhe lejuan kundërshtarin të ishte padron e të përmbyste shifrat me golin e Perez, me gjithë mbrojtjen fajtore përfshirë portierin.

Reja për herë të parë guxoi të dilte nga skema, përdori gjithë artilerinë e rëndë, duke nxjerrë Uzunin e hedhur në fushë Balajn, Vrionin e Cekicin, për një tredhëmbësh qendërsulmuesish, situatë që përpara u ndje me raste të krijuara nga Balliu, Broja e një gol i Hysajt, që festën ia shkatërroi VAR. Prapa ndërkohë, shthurja ishte e papranueshme dhe shtylla, por edhe dëshira për spektakël e izraelitëve, ndalën një rezultat shumë më të rëndë.