Spanja magjeps dhe e nis Kupën e Botës në mënyrë madhështore. Në ndeshjen e parë të Grupit E Furitë e Kuqe mposhtën Kosta Rikën 7-0 dhe arritën Japoninë në krye të renditjes. Në stadiumin Al-Thumana një provë force e jashtëzakonshme e skuadrës së Luis Enrique. Spanjës iu desh në pjesën e parë vetëm gjysmë ore për të mbyllur historinë duke shënuar me Dani Olmo (11′), Asensio (21′) dhe Feran Torres (31′). Më pas në pjesën e dytë “La Roja” shpartalloi kundërshtarin, sërish me Ferran Torres (54’) dhe më pas me Gavi (74’), Soler (90’) dhe në fund Morata (92’).

Kështu, Spanja debutoi në Katar me fitoren e bujshme 7-0 ndaj Kosta Rikës. Gjithçka ishte vërtet e lehtë për kombëtaren e Luis Enrique,  falë një epërsie të sikletshme. Spanja mori kohë vetëm 31′ minuta lojë për të mbyllur llogaritë. Golat e Dani Olmo, Asensio dhe Ferran Torres me penallti çoroditën kostarikanët dhe e thjeshtuan punën për La Roja. Në pjesën e dytë, sulmuesi i Barcelonës shënoi 4-0 për dygolëshin personal. Më pas erdhi goli i mrekullueshëm i Gavi, që goditi fluturimthi në këndin ku Navas arriti vetëm me shikim. Soler dhe Morata me golat e shënuar në fund i dhanë përmasa disfatës së Kosta Rikës. Asnjë pritje për Unai Simon dhe Kosta Rika duket se është e destinuar të mos lërë asnjë shenjë në këtë Kupa Bote.

STATISTIKAT

Një dominim absolut i iberikëve përtej golave. 15 goditje drejt portës nga spanjollët e asnjë nga Kosta Rika. Zotërimi i topit është i frikshëm, 76% për të besuarit e Luis Enrique e 24% për humbësit. 5 goditjet e këndi për Spanjën e asnjë për kostarikanët, sa për të treguar trendin e ndeshjes. Gavi bëhet lojtari më i ri që shënon në një Botëror pas Pele dhe është një rekord brenda rekordeve që La Roja mori në këtë 7-0 tronditës.