Napoli ruan kryesimin e Serie A, por tani ka 1 pikë avantazh të vetëm ndaj Milan që e ndjek pas e 2 nga Interi i vendit të tretë: Sassuolo rikuperon në fund e rrëmben një 2-2 në Mapei Stadium. Në nisje të ndeshjes miqtë gjetën avantazhin e dyfishtë mes minutës së 51’ e 60’: fillimisht një e majtë e Fabian Ruiz zhbllokoi ndeshjen, pastaj goditja nga pranë portës e Mertens i coi shifrat në 0-2. Scamacca rihapi ndeshjen në minutën e 72’ përpara se Ferrari të gjente barazimin përfundimtar. Milani rikthehet te fitorja duke thyer 3-0 Genoan në ndeshjen e javës së 15 të Serie A, duke u afruar tashmë -1 me kreun e klasifikimit, duke qenë se Napoli është ndalur në 2-2 në transfertën e Sassuolos. Kuqezinjtë kaluan menjëherë në epërsi me një goditje dënimi të Ibrahimovic, i cili befasoi Sirigun në minutën e 10. Dygolëshi i Messias në fund të pjesës së parë dhe në minutën e 61, në debutimin e tij si titullar për kuqezinjtë në kampionat, nuk i la asnjë mundësi skuadrës së ish-sulmuesit kuqezi Andrij Shevcenko.

SASSUOLO 2-2 NAPOLI
Epilog i pabesueshëm në Reggio Emilia: Sassuolo barazoi në shtëpi ndaj Napoli kryesues pasi ishte 2-0 në disavantazh. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, pas një pjese të parë në të cilën skuadra e Spallettit kishte tentuar më kot të depërtonte në mbrojtjen e jeshilzinjve. Fabian Ruiz kaloi në avantazh Napolin në minutën e 51, duke përfituar nga rikuperimi i Mertens dhe asisti i Zielinskit. Vetë Mertens dyfishoi në minutën e 59 pas një kombinimi me Zielinskin. Nuk mbaroi aty, sepse Scamacca, në minutën e 71, shënoi golin që rihapi lojën për Sassuolon. Napoli u duk se e kishte kontrollin, por në minutën e 89 Sassuolo barazoi me goditjen me kokë të Ferrarit. Në shtesë, u anullua goli i 3-2 i Defrel me Var, që lejon Napoli të mbetet në komandë, me vetëm një pikë përpara Milanit.

GENOA 0-3 MILAN
Milani kthehet të zotërojë, me një goditje të vetme, të gjithçkaje që kishte humbur në ndeshjet e fundit: lojën, golin, shpirtin, portën e paprekur. Por jo vetëm kaq: 2-2 me të cilin Sassuolo gozhdoi Napolin në fund ka zbehur diferencën në vetëm një pikë. Në Marassi ndaj Genoas përfundoi 3-0 për kuqezinjtë me një gol të Ibrahimovic (gjuajtja e lirë) dhe një dygolësh të Messias, hera e parë si titullar. Përralla e brazilianit pasurohet me një kapitull të ri. Një ndeshje e dominuar, praktikisht pa histori, me Shevchenkon që shikonte i pafuqishëm një ndeshje ku diferenca teknike, por edhe në impakt, ishte evidente që në minutat e para. Trajnerit të ri të Grifonëve i duhet ta shtyjë takimin me fitoren e parë, ndërsa renditja rëndohet: deri tani vetëm një sukses në këtë kampionat. Në shtëpinë e Milanit, ka vetëm një lajm negativ në këtë mbrëmje: dëmtimi i Kjaer pas disa sekondash lojë. Një traumë e gjurit të majtë me ndrydhje, që do të vlerësohet më mirë nesër, por që nuk premton asgjë të mirë.