Vendi i parë me pikë të plota pas 4 javëve të para të kampionatit. Paris Saint Germain vazhdon startin perfekt të këtij sezoni, duke marrë fitoren e katërt radhazi në League 1, nën shenjën e Kylian Mbappe, djalit plangprishës që kërkon të largohet nga Parisi, por që me dygolëshin që vendosi sfidën me Reims, errësoi edhe debutimin e të shumëpriturit Lionel Messi.

Sulmuesi francez realizoi golin e parë në minutën e 16 të sfidës, duke ia bërë më të thjeshtë PSG rrugën e fitores, por në të njëjtën kohë, duke e komplikuar edhe më shumë detyrën e Real Madrid për ta marrë në ditën e fundit të merkatos. Mbappe shënoi dygolëshin personal në minutën e 63, duke shfrytëzuar një asist të Hakimi, e duke siguruar rezultatin, aq sa Pochettino të vendoste të hidhte në fushë edhe Lionel Messin për debutimin historik në minutën e 66 të ndeshjes.

E megjithatë, argjentinasi, që zëvendësoi Neymar, nuk mundi të shënojë për ta bërë të paharrueshëm debutimin e tij për herë të parë me një skuadër të re në karrierë.