Nuk mund të bënin asgjë më shumë. Atalanta e Borussia M.Gladbach nuk patën forcë të përballeshin me gjigantët që kishin përballë. Fitoreve në transfertë, Real Madrid e Manchester City i shtuan edhe një tjetër në shtëpi, duke u kualifikuar në cerekfinale të Champions League.

REAL MADRID 3-1 ATALANTA
Real Madrid imponohet 3-1 edhe në kthim e Atalanta duhet ti thotë lamtumirë Champions në 1/8. Asnjë surprizë nga Dea që, pas 0-1 të Bergamos, e nis mirë ndeshjen por pagoi me cmim të lartë gabimet individuale. Rezistenca e Atalantës në Madrid zgjati vetëm 34 minuta, sepse Real gjeti avantazhin, më shumë për gabimin e kundërshtarit se meritën e tij. Një pasim i gabuar i portierit Sportiello i dha mundësinë Modric të rrëmbejë topin e të shërbejë për Benzema një mundësi që francezi nuk mund ta humbiste. Një gol që praktikisht e bëri formacionin e Gasperinit të ketë nevojë për dy gola për tu kualifikuar. Duhej një mision tmerrësisht i vështirë për Atalantën, që pas golit të parë të shënuar nga Benzema, por të mendoje kualifkimin përballë Real Madrid, edhe pas golit të dytë, është e pamundur. Italianët u ndëshkuan në minutën e 60, kur Sergio Ramos shndërroi në gol 11 metërshin në favor të Blancos. Sportiello kuptoi vetëm krahun, por e kishte të pamundur të ndalonte konkluzionin e kapitenit spanjoll. Atalanta ngushtoi diferencën 8 minuta nga fundit e ndoshta bergamaskët e meritonin një gol në shtëpinë e gjigantëve spanjollë, pavarësisht se për kualifikimin ishte gjithcka e mbyllur. Muriel shënoi një gol spektakolar me goditje dënimi në minutën e 83, por kënaqësia e italianëve zgjati vetëm dy minuta sepse në të 85 Real stabilizoi distancën e sigurisë, duke shënuar golin e tretë. Asensio mposhti Sportiellon, duke shfrytëzuar një asist të Vasquez e Zidane i bashkohet skuadrave të kualifikuara në cerekfinale.




MANCHESTER CITY 2-0 BORUSSIA M.GLADBACH
Ashtu si parashikohej, Manchester City fluturon në cerekfinale të Champions League duke mundur 2-0, ashtu si në ndeshjen e parë, Borussia Mönchengladbach. Në fushën neutrale të Budapestit, Citizens i mjaftoi fare pak për të siguruar kualifikimin: De Bruyne shënoi golin e avantazhit me një të majtë të fortë në minutën e 12’. Një gol që fiku cdo shpresë të gjermanëve për ndonjë befasi e madje tronditi këmbët e lojtarëve që pësuan të dytin, ende pa e kuptuar mirë cfarë ndodhi. Gjashtë minuta më pas Gundogan dyfishoi rezultatin, duke shfrytëzuar një asist të Foden. Kaq mjaftoi që të dy skuadrat të kuptonin se nuk kishte më asgjë për të bërë: anglezët kishin prekur cerekfinalen, ndërsa gjermanët duhet ti thoshin lamtumirë këtu kompeticionit. Pjesa tjetër e ndeshjes ishte thjesht për statistikë: në fund Guardiola rrëmben një kualifikim të merituar, duke vazhduar të ndjekë ëndërrën Champions.