Ndërsa Bayern Mynih vazhdon të insistojë me Liverpool për ta sjellë në Bavari, Sadio Manè është me pushime në vendin e tij të lindjes, Senegal, ku ai është shumë më tepër se një idhull. Të hënën, sulmuesi mori pjesë në një ndeshje futbolli të luajtur në fshatin e tij të fëmijërisë, në fushën ku filloi historia e tij futbollistike. Një ndeshje plot me yje të vendit afrikan, që pavarësisht motit të pafavorshëm dhe fushës thuajse të paluajtshme, i çoi në delir shikuesit e shumtë të pranishëm.

Sadio Manè u kthye në fshatin e tij të fëmijërisë në Senegal për të marrë pjesë në një ndeshje në fushën ku u rrit. Sulmuesi, i cili duket se do të largohet nga Liverpool për t’u transferuar në Bundesligë te Bayern Mynih, është rikthyer në Bambali për të marrë pjesë në një ndeshje të mbushur me yje të futbollit afrikan. Në sfidë morën pjesë edhe ish-sulmuesi i Newcastle Papiss Cisse dhe ish-sulmuesi i Liverpool El-Hadji Diouf, si dhe bashkëlojtari i kombëtares senegaleze Mbaye Diagne dhe ylli i Beninit Desire Segbe.

Manè publikoi një postim në Instagram duke përfshirë një foto dhe një video të ndeshjes, të luajtur në një fushë pothuajse të paluajtshme për shkak të baltës, si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm: “Kthim në origjinë me një ndeshje gala në fushën e Bambali, ku filloi gjithçka!!!”, ka shkruar sulmuesi senegalez, i cili më pas falënderoi yjet e tjerë të pranishëm: “Një falënderim nga zemra për vëllezërit e mi Papiss Cissè, Mbaye Diagne, Desire Segbe dhe pa harruar idhullin tim të përjetshëm, legjendarin El-Hadji Diouf”. Një ditë gëzimi për tifozët e shumtë të grumbulluar rreth fushës së lojës.