Përfundon pa gola ndeshja e madhe e javës së 23 të Serie A: në San Siro, Milan e Juventus nuk shkojnë përtej 0-0. Pak emocione në ndeshjen e mbrëmjes mes dy skuadrave të shqetësuara më shumë nga rëndësia e mos humbjes së përballjes direkte sesa për krijimin e mundësive. Për tu evidentuar, në harkun e 90 minutave, dy pritje të sigurta nga Szczesny, fillimisht ndaj Leaos e më pas Giroud, dhe dy konkluzione jashtë kuadratit për bardhezinjtë me Dybalan dhe Moratan. Milani në këtë pikë është i treti, Juventus mbetet i pesti në renditje.

Ekuilibër, shumë ekuilibër. Ndoshta më shumë se duhej, aq sa Milan dhe Juventus praktikisht bllokuan njëri-tjetrin. Në San Siro ndeshja e madhe përfundoi 0-0 dhe nuk ishte aspak zbavitëse: një ndeshje e luftuar, intensive, por padyshim e shëmtuar dhe me fare pak emocione. Një barazim që penalizon më së shumti Milanin nga pikëpamja e renditjes. Nëse është e vërtetë që Juventus nuk mundi të arrijë në vendin e katërt, Milani nga ana e tij humbet më shumë terren ndaj Interit (dhe arrihet nga Napoli), i cili tani është +4 me një ndeshje më pak. Pas pauzës vjen derbi dhe për kuqezinjtë i vetmi rezultat i pranueshëm do të jetë fitorja. Probleme për Ibrën, i cili u largua pas gjysmë ore me një problem në tendinën e djathtë të Akilit dhe telashe për Piolin që ka humbur një nga lojtarët më të rëndësishëm.