Napoli rrëzohet 3-2 në Empoli dhe përfundimisht i thotë lamtumirë ambicieve për titull. Të besuarit e Spallettit zhbllokuan ndeshjen në minutën e 44 me Mertens, gjetën dyfishimin me Insigne në minutën e 53, por pastaj cojnë dëm gjithcka në vetëm tetë minuta: mes të 80′ dhe 88′ napoletanët pësuan rikthimin e bujshëm të toskanëve, të firmosur nga Henderson dhe një dygolësh i Pinamontit. Andreazzoli kthehet te tre pikët pas 16 javësh: suksesi i fundit i përkiste pikërisht ndeshjes së fazës së parë.

Përgjegjësinë e merr të gjithën Luciano Spalletti: “Na mungoi vëmendja dhe vazhdimësia dhe kur kjo ndodh, siç ndodhi sot, përgjegjësia është e trajnerit. Padyshim që nuk arrita t’i transferoja disa koncepte skuadrës”, tha trajneri i Napolit pas ndeshjes. “Kjo brishtësi është padyshim për të mu ngarkuar mua. Na vjen keq t’i themi lamtumirë ëndrrës titull që e kemi kultivuar me shumë sakrifica dhe mundim”.

Napoli largohet përfundimisht nga gara në fund të një pasditeje makthi, në të cilën arriti të flakë një lojë, që dukej në kasafortë, për shkak të një sërë gabimesh, të papranueshme për një skuadër që aspiron majën. Tetë minuta blackout total i kushtuan të kaltërve humbjen e tyre të dytë në tre ndeshjet e fundit dhe hapi rrugën për rikthimin te fitorja të një Empoli që dukej i destinuar për një tjetër hap të gabuar. Skuadra toskane përkundrazi përfiton nga dhuratat e kundërshtarëve dhe rimerr tre pikët më shumë se katër muaj pas herës së fundit: rastësisht nga 0-1 i Cutrones në “Maradona”. Lufta për titull është tashmë (pothuajse) zyrtarisht një derbi Milan-Inter.