Nuk ka patur minutazhin që ndoshta do të meritonte, por Odise Roshi e kupton qartë se është penalizuar nga skema me të cilën luan kombëtarja që kur ka mbërritur Edoardo Reja në pankinë e, megjithatë, wingeri ka bërë gjithcka për tu përmirësuar, duke fituar të drejtën të zgjidhet madje edhe si titullar në ndeshje të rëndësishme. Tani përballë është Anglia, që vërtetë ka emra të frikshëm, por duhet mundur për të vazhduar të shpresojmë: “Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjithë e dinim kualitetin që Anglia ka shfaqur dhe ka. Kurse puna e trajnerit, se si do të luajë në fushë, atë po e bëjmë në stërvitje. Ende nuk e ka vendosur me çfarë taktike do të luajmë. Po shpresojmë të bëjë atë që ka bërë gjithmonë dhe kur të futemi të japim më të mirën dhe tani, nëse themi do të fitojmë, këtë kemi thënë gjithmonë. Do të shkojmë në Wembley të luajmë dhe të japim maksimumin”.

Shanset për vendin e dytë janë shumë të vogla, duke llogaritur që duhet mundur Anglia në shtëpinë e saj e në fund Hungaria të mposhtë Poloninë në Varshavë. Por, ashtu si thotë Roshi, “mrekullitë kanë ndodhur dhe prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar edhe në Portugali në 2014 dhe e kemi fituar ndeshjen. Tani lojtarët janë në formë, si Cikalleshi që ka qenë edhe lojtari i javës në formacion në Turqi, ashtu ka edhe lojtarë të tjerë, si Bare, Kumbulla, Ismajli, që luajnë në nivele shumë të mira. Shpresojmë.

Roshi është shtyrë edhe më tej, duke i vënë një notë Kombëtares, për të gjithë atë që ka treguar gjatë kësaj fushate: “Nota 10 është më e mira, por besoj se notën 8”.