Përfundon 1-1 ndeshja mes Napolit dhe Romës, e vlefshme për javën e 33 të Serie A. Penalltisë së Insignes në fillim të ndeshjes (11′), i përgjigjet El Shaarawy në kohën shtesë (91′), pas një pjese të dytë në rritje për të besuarit e Mourinhos. Napoletanët rrëshqasin në -4 nga Milani kryesues dhe shohin ëndrrën titull të zbehet, ndërsa verdhekuqtë nuk humbasin terren ndaj Juventusit, megjithëse zona Champions mbetet 5 pikë larg.

Një shaka e hidhur për Napolin. Pikërisht kur zhgënjimi me Fiorentinën dukej i harruar, mbërriti El Shaarawy për të fshirë akoma më shumë nga shpresat për titull të skuadrës së Spallettit. Avantazhi erdhi pothuajse i menjëhershëm për napoletanët, me Insigne që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Roma nuk pati të njëjtin trajtim në pjesën e dytë, pavarësisht protestave të forta për shkak të një penalltie të padhënë, që i kushtoi vetëm përjashtimin e Fuzatos nga pankina. Por në fund, kur u duk se nuk kishte më kohë për asgjë, goli i barazimit 1-1 mbajti firmën e El Shaarawy. Inter dhe Milan e falënderojnë, ndërsa Mourinho mbetet i kapur pas trenit të Champions.