Në ndeshjen e fundit të së dielës për javën e 32 të Serie A, Milani kryesues nuk shkoi përtej 0-0 në fushën e Torinos. Barazimi i dytë radhazi në kampionat pa gola, i lejoi kuqezinjtë të shtojnë distancën me Napolin, por duke e vënë veten në shënjestrën e Interit tani vetëm -2 prej të besuarve të Piolit me një ndeshje më pak. Pak mundësi shënimi në një ndeshje të bllokuar; i Tonalit në minutën e 74 shansi më i mirë për Milanin, ndërsa Maignan i mohoi golin Vojvodës dhe Pellegrit.

Milani pengohet sërish dhe humb pikë të tjera të çmuara në sprintin final të kampionatit. Në Torino, kundër granatave të Juric përfundoi 0-0, rezultat i njëjtë si në ndeshjen e mëparshme kundër Bolonjës. Është një Milan që nuk di më të fitojë e as të shënojë, nëse kihet parasysh se janë shënuar vetëm tre gola në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit. Me këtë barazim, kuqezinjtë fitojnë një pikë ndaj Napolit, të mposhtur nga Fiorentina, por rikuperohen me dy të tjera nga Interi, i cili tashmë ka vetëm dy pikë distancë. Kjo do të thotë se, me zikaltrit ende në pritje për të rikuperuar ndeshjen kundër Bolonjës, Milani nuk është më plotësisht zotërues i fatit të tij. Një ngadalësim i dukshëm, ai i kuqezinjve, pikërisht në momentin më të nxehtë të sezonit dhe me një kalendar më të komplikuar se ai i Interit. Në Olimpico Grande Torino ishte një lojë me pak emocione, por me intensitet të madh, me një Toro shumë të kujdesshëm në fazën e mbrojtjes. Një Toro që nuk arriti të rrëmbejë fitoren e parë me një të madhe në këtë kampionat, por që pasi kishte ndalur Juven dhe Interin në barazim, bëri të njëjtën gjë edhe me Milanin.