Milan humbet në shtëpi përballë Napolit, duke e parë Inter tashmë të shkëputet në +9 e me rrezikun që të kalohen në renditje edhe nga Juventus, që duhet të rikuperojë akoma ndeshjen me skuadrën e Gattuso. Ende në emergjencë të plotë, megjithë rikuperimet e Calhanoglu dhe Theo Hernandez, Pioli u detyrua të shpikte një formacion tjetër të ri. Napoli nuk është se ishte më mirë, duke zëvendësuar Manolas me Maksimovic në krah të Koulibaly dhe duke luajtur me Hysaj në binarin e Insigne në të majtë.

Pjesa e parë kalon pa drithërima të mëdha: Pioli i la dominimin e lojës Gattusos për të favorizuar Leao në kundërsulm, ndërsa Napoli përdori krahët si zakonisht duke mbështetur inserimet e Zielinski, i cili, në fakt, është njeriu më i rrezikshëm i të kaltërve. Poli ka dy shanse të mira pa mundur të bëjë keq. Nga ana tjetër, Milani nuk bëri shumë për t’i vënë kundërshtarët në vështirësi, por aspektet pozitive duhen parë në funksion të ndeshjes së kthimit me Manchester: Tomori, gjithnjë e më i sigurt në qendër të mbrojtjes dhe Tonali, në rritje të dukshme.

Në pjesën e dytë Milani e filloi më mirë, por shpërqendrimi i zakonshëm difensiv lejoi që Politano të përfitonte nga vertikalizimi i Zielinski dhe t’i jepte epërsinë skuadrës së tij. Milani u përpoq të reagonte dhe të rriste forcën sulmuese, por la shumë hapësira për kundërsulmin e Napolit, që shkoi pranë dyfishimit me një të majtë nga jashtë zonës nga Fabian Ruiz, ndaj të cilit Donnarumma ishte i mahnitshëm. Pioli rrëshqet kështu në -9 nga Inter, i thotë lamtumirë ëndërrës titull dhe tani duhet të shohë pas shpine për të mos u komplikuar shumë gara Champions.